Topi pret Këshilltarin e lartë
të Sekretares amerikane të Shtetit

Topi pret Këshilltarin e lartë<br />të Sekretares amerikane të Shtetit
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Këshilltarin e lartë të Sekretares amerikane të Shtetit për Shoqërinë Civile dhe Demokracitë e Reja, Tomikah Tileman.

Në këtë takim, zoti Tileman shoqërohej nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendin tonë, Aleksandër Arvizu. Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen në vendin tonë zotit Tileman dhe vuri në dukje faktin se kjo vizitë është një tregues më tepër i mbështetjes dhe vëmendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë për të çuar më tej arritjet e saj demokratike, reformat gjithëpërfshirëse për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike duke përfshirë këtu shoqërinë civile, bazuar në standardet dhe përvojat e demokracive më të përparuara perëndimore.

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në vendin tonë, duke vënë theksin në prioritetin e politikës së jashtme të Shqipërisë që, anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, së afërmi të pasohet nga integrimi i vendit në familjen e madhe evropiane.

“Është një angazhim i rëndësishëm që ne kemi ndërmarrë në këtë drejtim duke u përpjekur për të realizuar të gjitha kriteret e integrimit të BE-së”, - u shpreh Presidenti, duke vënë në dukje se “këto momente kërkojnë intensifikimin e rolit të shoqërisë civile shqiptare duke përforcuar konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë”.

Gjithashtu, Kryetari i Shtetit nënvizoi se “në këto njëzet vite demokracie, shoqëria civile shqiptare ka dëshmuar vlera dhe ka pasur një kontribut të pamohueshëm në bashkërendimin e qëndrimeve për shfaqjen dhe mbrojtjen e këndvështrimeve të saj për çështje të një interesi të veçantë e rëndësishëm publik, në situata nga më të ndryshmet”. “Ndaj, është detyrë e institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, për të dëgjuar më shumë zërin e tyre dhe për të ndërvepruar me qëllim rritjen e standardeve dhe vlerave të demokracisë në shoqërinë shqiptare dhe institucionet e saj”, - theksoi Presidenti Topi. Ndërsa,

Këshilltari i lartë i Sekretares amerikane të Shtetit për Çështjet e Shoqërisë Civile dhe Demokracitë e Reja, Tomikah Tileman, shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi duke vlerësuar rolin kushtetues dhe institucional të Kreut të Shtetit për t’u dhënë zë dhe mbrojtur interesat e mbarë qytetarëve shqiptarë si dhe për promovimin e përkrahjen e vazhdueshme të shoqërisë civile në misionin e tyre ndërgjegjësues.

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet ta vazhdojë Sylvinho drejtimin e ekipit tonë kombëtar deri më 2026?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarizohet largimi i Alibeajt nga grupi i PD, Nikolla lexon shkresën në Kuvend

Zyrtarizohet largimi i Alibeajt nga grupi i PD, Nikolla lexon shkresën në Kuvend