Topi takon Gruevskin: Zbatim
të plotë Marrëveshjes së Ohrit

Topi takon Gruevskin: Zbatim <br />të plotë Marrëveshjes së Ohrit
SHKUP - Kreu i shtetit Bamir Topi ka nisur vizitën e tij zyrtare në Maqedoni ku është pritur fillimisht nga homologu i tij maqedonas George Ivanov (foto) me të cilin zhvilloi edhe një konferencë shtypi. Duke folur për situatën më të fundit në këtë vend presidenti shqiptar u shpreh se është domosdoshmëri zbatimi I marrëveshjes së Ohrit,ndërsa siguroi se Shqipëria mbështet fuqismisht stabilitetin e Maqedonisë. Nga ana e tij, presidenti maqedonas Ivanov ka theksuar se është në interes të rajonit që të prodhojmë vetëm lajme pozitive. Dy presidentët diskutuan gjithashtu edhe për rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe ndihmën e ndërsjelltë në proceset integruese.

Presidenti Topi pritet të zhvillojë takime edhe me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, kryetarin e Asamblesë, Trajko Veljanoski, me ish-presidentin maqedonas dhe Kryetarin e LSDM-së, Branko Cervenkovski si dhe me drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare, Ali Ahmetin e Menduh Thaçin.

Vizita e Topit vjen në një moment kur situata në vend ështe tensionuar si pasojë e incidenteve të njëpasnjëshme më e fundit ajo e vrasjes së 5 të rinjve.

“TË ZBATOHET MARREVESHJA E OHRIT”
Më pas presidenti është takuar edhe me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me të cilin bashkëbisedoi mbi çështje të rëndësishme në interes të të dy vendeve. Topi përsëriti qëndrimin e palëkundur të shtetit shqiptar në mbështetjen e plotë ndaj Republikës së Maqedonisë, në përpjekjet e synimet e saj për integrim në NATO e BE, duke nënvizuar në këtë kuadër “rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si një element qëndrueshmërie e bashkëpunimi, dhe si kontribues i nevojshëm gjatë proceseve integruese të shtetit maqedonas si dhe domosdoshmërinë e zbatimtit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, njoftoi Presidenca.

Presidenti Topi e vuri theksin fillimisht tek rëndësia e forcimit të marrëdhënieve shumë të mira politike mes dy vendeve tona, pasi “ndikon ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së mirëkuptimit dhe marrëdhënieve edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke siguruar në këtë mënyrë paqe, prosperitet e stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin ballkanik e më gjerë”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit u ndal edhe tek nevoja e shtimit e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh, sidomos në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare nëpërmjet zbatimit të projekteve të përbashkëta konkrete në infrastrukturë, energjitikë, në fushën e turizmit, etj. Në këtë drejtim Presidenti Topi vlerësoi lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë me karta identiteti, por vuri në dukje gjithashtu edhe nevojën e përdorimit të frytshëm të resurseve turistike të të dyja vendeve tona, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikola Gruevski, pasi bëri një panoramë të detajuar të zhvillimeve më të fundit të vendit të tij dhe sfidave me të cilat përballet qeveria që ai drejton, vuri në dukje rëndësinë e këtyre takimeve të nivelit të lartë, si tregues të qartë të marrëdhënieve shumë të mira të dialogut politik mes dy vendeve tona fqinje, të mirëkuptimit e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional në të gjitha fushat. Kryeministri Gruevski dhe Presidenti Topi pasi diskutuan edhe për efektet e krizës globale financiare si dhe për nevojën e qëndrueshmërisë e paqes në Ballkan, nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm rajonal e të realizimit konkret të synimit të përbashkët të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit tonë në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian.

(im/ns/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja