Topi takon Papa Benediktit XVI:
Pro Integrimit në 100 vjet Pavarësi

Topi takon Papa Benediktit XVI:<br />Pro Integrimit në 100 vjet Pavarësi
VATIKAN - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u pritën sot paradite në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në një nga mjediset kryesore të Kishës Katolike të Vatikanit, në Romë, në prani të personaliteteve të larta të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Rrok Logu.

Sipas deklaratës zyrtare të presidencës, Presidenti Topi shprehu  mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shqiptare, sidomos në drejtim të ruajtjes e forcimit të bashkëjetesës e harmonisë fetare në Shqipëri.

Duke risjellë në vëmendje e me krenari faktin që “tashmë janë shënuar më se 20 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan, në rang Nunziature Apostolike”, Kryetari i Shtetit vuri në dukje “rolin e madh të Kishës Katolike në zhvillimet shpirtërore, kulturore e arsimore në shoqërinë shqiptare”, duke shprehur besimin se “Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve e aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e familjes së madhe evropiane”.

Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në pah “vlerat e papërsëritshme të historisë së bashkëjetesës mes besimeve fetare në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga komunitetet fetare në vendin tonë”, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e përfaqësuesve e drejtuesve të tyre “në realizimin e qëllimeve fisnike në shërbim të besimit, harmonisë, paqes dhe demokracisë në Shqipëri”.

Duke folur mbi zhvillimet më të fundit në vendin tonë e rajon, Presidenti Topi u shpreh se “Shqipëria sot është një vend demokratik dhe anëtar i NATO-s, respektues i të gjitha besimeve fetare dhe e vendosur në mbështetjen e perspektivave integruese evropiane edhe të vendeve të tjera të Ballkanit”, duke shprehur në këtë kuadër besimin në mbështetjen e plotë të Shtetit të Vatikanit, dhe të vetë Papës Benedikti XVI.

Nga ana e tij, Papa Benedikti XVI, pasi çmoi lart praninë e Kreut të Shtetit shqiptar dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi në këtë audiencë të veçantë, theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillimin të mëtejshëm të vendit në të gjitha fushat, por dhe në realizimin e aspiratës integruese për në Bashkimin Evropian, edhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së saj”. Ati i Shenjtë vlerësoi lart gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndërfetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore, duke e konsideruar si “një shembull unik të evidentimit të vlerave më të mira paqedashëse njerëzore”.

Në kuadër të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës e ftoi Atin e Shenjtë, Papa Benediktit XVI që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.



TAKIMET E DJESHME
Ndërkaq, një ditë më parë Presidenti Topi pati një takim me përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie të njohur fetare.

Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin prej më shumë se njëzetvjeçar të Komunitetit të “Sant’ Exhidios” në Shqipëri vuri në dukje se “zhvillimet e fundit dhe rivendosja e një klime bashkëpunimi si dhe gjetja e mirëkuptimit mes pozitës dhe opozitës për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Parlament, po i shërbejnë përmbushjes së aspiratës së qytetarëve shqiptarë për integrim evropian.” Kryetari i Shtetit theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e shtetit ligjor dhe respektimit të institucioneve të pavarura kushtetuese në mënyrë që Shqipëria t’i japë fund tranzicionit të stërzgjatur që po kalon duke u shndërruar në një shtet me demokraci dhe institucione të konsoliduara.

Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të bashkësisë vunë në dukje rëndësinë e një Presidenti të Republikës, i cili përfaqëson vërtet bashkimin e popullit dhe mbron interesat e qytetarëve.

(aq/sg/jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'