Roma e ka nisur 2019 me fitore edhe pse jo me pak vështirësi. Verdhekuqtë kanë mposhtur 3-2 Torinon në një ndeshje dramtike të vlefshme për javën e 20 të “Seria A”. Ekipi i drejtuar nga Di Francesco zhbllokoi shifrat në minutën e 15 me Zaniolo, ndërsa pak çaste më pas dyfishoi rezultatin me Kolarov, duke dhënë përshtypjen se gjithçka do të ishte e thjeshtë.
Pavarësisht parashikimeve, pjesa e dytë rezultoi mjaft e vështirë për Romën. Miqtë nga Torino në minutën e 51 me Rincon dhe të 67 me Ansaldin arritën të barazonin rezultatin. Vendasit marrin një goditje të fortë, por ajo që vlen është se nga kjo situatë i nxori El Shaarawy, i cili i kaloi sërish në epërsi dhe që në të njëjtën kohë i siguroi 3 pikët në përfundim të takimit.