KANADA (TORONTO) - Pas skandalit të disa ditëve më parë, ku policia e Torontos në Kanada deklaroi se kryetari i bashkisë së tyre ishte filmuar duke tymosur crack (nënprodukt i kokainës), një tjetër video ka dalë në dritë.

Në videon e re kryetari i bashkisë Rob Ford, shfaqet i tensionuar duke lëvizur sa majtas-djathtas në një dhomë dhe duke kërcënuar me vdekje dikë.

Gazeta që publikoi videon, Toronto Star, tha se e bleu filmimin nga një burim i cili e filmoi nga kompjuteri i dikujt tjetër dhe se personi që e kishte videon në kompjuter ishte në të njëjtën dhomë me kryetarin e bashkisë gjatë atij momenti.

Por edhe pas publikimit të kësaj videoje, Rob Ford nuk pranoi të jepte dorëheqjen dhe tha se e vetmja gjë që mund të bënte ishte të garantonte njerëzit që gjëra të tilla nuk do të përsëriteshin më. Disa ditë më parë Rob Ford pranoi për herë të parë problemet e tij me pijen.

Në një emision radiofonik, Ford tregoi se si kishte dalë në një festival në rrugët e Torontos i pirë, apo kur ecte me një shishte brandy gjysëm të pirë nëpër korridoret e bashkisë pas Ditës së Shën Patrikut, vitin e kaluar.

Ford gjithashtu pranoi se kishte tymosur ‘crack’ ndërkohë që ishte i dehur. Këshilltari bashkiak Giorgio Mammoliti, nëj aleat i Frod, i sugjeroi kryebashkiakut 44 vjeçar të shkonte sa më parë në një qendër rehabilitimi pasi sipas tij, nëse Ford nuk do të marrë ndihmë tani, atij do t’i duhej t’u dorëzohej problemeve të tij shëndetësore dhe varësisë nga pija e droga.

Redaksia Online
(Erin Dini/a.ç/shqiptarja.com)