CËRRIK - Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Cërrikut, Altin Toska, i shoqëruar edhe nga Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe deputeti Aqip Rakipi zhvilluan një takim me mbështetës të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në fjalën e tij para mbështetësve të kësaj force, kandidati i përbashkët i ASHE-së i falënderoi për mbështetjen e fuqishme në zgjedhjet vendore, ndërsa i garantoi se do të jetë gjithmonë në krah të tyre për zgjidhjen e problematikave që i shqetësojnë.

“Jeni një pjesë jetësore e fortë për Bashkinë e Cërrikut. Jam krenar që ju jeni mbështetësit e mi kryesorë. Një falënderim të veçante mikut tim kryetarit të partisë që më ka dhënë një mbështetje të fuqishme. Ju në programin që unë kam bërë më keni inspiruar me emrin e partisë tuaj. Ju jeni Partia për Drejtësi dhe Bashkia jonë e ardhshme, ku ju do jeni pjesë e saj, do luftojmë për drejtësinë në këtë vend, ku do të ketë drejtësi sociale, drejtësi në punë, shëndetësi. Ju faleminderit për drejtësinë që e keni vendosur në fillim të programit tuaj. Integrimi është pjesa kryesore dhe ne jemi popull shumë europian dhe për arsye të politikës së keqe nuk kemi mundur të integrohemi me pjesën tjetër të Europes”, theksoi Toska.

Kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Cërrikut  prezantoi dhe programin e tij për katër vitet e ardhshme në krye të Bashkisë së Cërrikut.

“Në fokus të politikës tonë dhe të programit tonë është punësimi, shkollimi, shëndetësia, infrastruktura duke ecur të sigurt në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian, aty ku ne  e kemi vendin sepse ne e meritojmë të jemi pjesë e saj dhe kam bindjen se së bashku do ta realizojmë. Jemi para një prove që do ta kalojmë me sukses. Pjesa tjetër e emrit të partisë suaj është ‘uniteti’ dhe më 21 qershor do jemi një sepse do jemi unik, jo për veten tonë, por për të ardhmen e Cërrikut dhe të Shqipërisë, për të ardhmen e fëmijëve tonë, atyre që do vijnë pas nesh. Detyra jone është që këtë vend t’ia lëmë atyre që do vijnë pas nesh. Të kujtohemi si njerëzit që luftuam për Cërrikun dhe njerëzit të mos largohen nga ky  qytet për në Tiranë apo jashtë vendit tonë. Me politikat tona ne do ta shndërrojmë Cërrikun në një qytet më të bukur, më të mirë, një qytet ku ke dëshirë të punosh. Më 21 qershor do të kemi fitore të thellë”, - theksoi kandidati i ASHE-së, Altin Toska.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)