TIRANE- Avokati i Popullit kërkon zbatimin e ligjeve antidiskriminuese si dhe rishikimin e teksteve shkollore në të cilat diskriminohet komuniteti LGBT. Zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Elona Demollari theksoi se Shqipëria është një vend që ka shkallë të lartë të homofobisë, ndaj i është rekomanduar MASH që të rishikohen kryesisht tekstet e universiteteve.

Në tekstet akademike që formojnë juristët e avokatët e ardhshëm si dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, homoseksualizmi  konsiderohet ende një akt perversiteti.

“Procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë, marrja e statusit kandidat përveç të tjerave në Prioritetin 11 kërkon, që të bëhen hapa konkretë në forcimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim. Në raportin social dhe ligjor mbi diskriminimin me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor të Këshillit të Evropës, i cili mbulon 47 vende anëtare, - Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shkallë të lartë të homofobisë dhe është detyrë e gjithë strukturave shtetërore, dhe jo vetëm e tyre ta ndihmojnë zbutjen dhe zhdukjen e këtij fenomeni. “- bëri të ditur sot zëdhënësja e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit shpreh bindjen se ka ardhur koha për zbatim efektiv të ligjit dhe rezultate konkrete dhe të prekshme në zbatim të politikave anti-diskriminim.  Për këtë i kërkon: Qeverisë Shqiptare, të gjitha institucioneve të tjera shtetërore, enteve publike dhe private që kryejnë një funksion publik apo japin një shërbim publik që të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të menjëherërshme për zbatimin e legjislacionit në fuqi kundër diskriminimit.

Në mënyrë të veçantë Avokati i Popullit i kërkon "Ministrisë së Arsimit dhe Rektorëve të Universiteteve publike dhe private të rishikojnë programet dhe materialet mësimore, për të siguruar se lëndët mësimore nuk do të përmbajnë tekste të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese ndaj komunitetit LGBT, - por do të respektojnë parimet e sipërcituara."

Avokati i Popullit do të dërgojë brënda ditës së hënë rekomandim të posacëm për këtë cështje Ministrisë së Arsimit, Rektorëve të Universiteteve Publik dhe Privatë dhe do të monitorojë nga afër zbatimin e këtij rekomandimi dhe në përgjithësi të legjislacionit antidiskriminim ndaj këtyre strukturave që ofrojnë një shërbim publik.

Avokati i Popullit i kërkon gjithashtu edhe Kuvendit dhe komisioneve parlamentare të diskutojnë sa më shpejt raportin e Avokatit të Popullit me temë “Të drejtat e personave LGBT”, të dorëzuar në Kuvend në datë 05. shtator 2012.