ITALI - Zbulohet trafiku i drogës Shqipëri-Itali, me një bilanc prej 16 të implikuarish. Policia ka arrestuar 11 shtetas italianë, ka shpallur në kërkim 4 shqiptarë, ndërsa një i pestë ndodhet në burg në Shqipëri.
 
Sipas mediave italiane, të arrestuarit i përkasin dinastive të familjeve të njohura për trafikun e drogës. Policia italiane ka bërë me dije se janë sekuestruar 280 kilogramë marijuanë të fshehura në dy dhoma të përdorura për përpunimin e tyre.
 
Furnizimi i dërgesave të drogës mundësohej në sajë të një bashkëpunimi me trafikantët shqiptarë, të vendosur në qytetin bregdetar të Durrësit. Çdo rrugë kushtonte rreth 200 mijë euro.
 
Emri i shqiptarit që porosiste sasinë e drogës është Altin Ramolli dhe policia italiane ka siguruar përgjime të bisedave të tij me trafikantët, duke siguruar kështu prova të forta për zbardhjen e plotë të këtij trafiku.