Një rast i trafikut ndërkombëtar të drogës është zbuluar nga autoritetet në Zvicër, ku katër shqiptarë, të moshës 27 deri në 36 vjeç, janë dënuar për përfshirje në kontrabandën e rreth 44 kilogramëve kokainë të pastër nga Meksika drejt Cyrihut.
Sipas mediave të huaja, tre prej të pandehurve kishin udhëtuar në korrik 2024 nga Frankfurti drejt Cyrihut, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë nga Amsterdami. Në aeroportin e Cyrihut, ata janë drejtuar te karuseli i bagazheve, ku po shpërndaheshin valixhet e një fluturimi që vinte nga Cancún, Meksikë.
Të akuzuarit morën katër valixhe që përmbanin afro 44 kilogramë kokainë dhe kaluan përmes sektorit doganor “asgjë për të deklaruar”, pasi njëri prej tyre kishte kontrolluar më herët zonën për të shmangur dyshimet. I pandehuri i katërt veproi si shofer dhe transportues i lëndës narkotike.
Valixhet u dërguan në një hotel pranë aeroportit, ku droga iu dorëzua personave të tjerë shqiptarë, ende të paidentifikuar. Rasti u zbulua pasi një çantë shpine e zezë me rreth 10 kilogramë kokainë mbeti në karusel, pasi kishte rënë nga një valixhe me zinxhir të dëmtuar gjatë shkarkimit nga avioni.
Komente












