TIRANE - Këshilli i Ministrave miratoi shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës Rrethina, në Shkodër, Kleves Muja.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë më shumë se një muaj nga arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Italisë ku akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës.

Propozimi u bë nga Ministri i Brendshëm, bazuar në dokumentacionin e Policisë së Shtetit për pjesëmarrje të tij në grupe të organizuara kriminale të drogës në Itali dhe kërkesës që pala shqiptare ka marrë për ekstradimin e tij nga autoritetet e drejtësisë së këtij shteti.

Para 1 muaji e gjysmë Kryetari i Komunës Rrethina u arrestua nga forcat e policisë së shtetit nën akuzën e trafikut dhe pjesëmarrjes në grupe të organizuara kriminale. Për këtë ai mori masën e sigurisë burg me afat 40 ditë nga shkalla e parë, kohë gjatë të cilës shteti italian mund të bënte kërkesën për ekstradim, meqë urdhri i arrestit pretendohej të ishte lëshuar nga Prokuroria italiane.

Dy dite pas dërgimit në burgun e Shën Kollit, kryekomunari i Rrethinave plagoset rëndë nga një i dënuar ku sipas policisë shkaqet ishin një konflikt i vjetër mes tyre. Në kohen kur Kleves Muja ishte i shtruar në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin Ushtarak, Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë personale ndaj tij nga arrest me burg në arrest në shtëpi, ndërkohë që ende procesi i rregullt gjyqësor në ngarkim të 35-vjeçarit Muja nuk ka nisur e për më tepër nuk ka një vendim të formës së prerë për fajësinë e tij.

Në rastin e shkarkimit të kryetarit të Komunës Rrethina nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, i takon tashmë Presidentit të Republikës që të shpallë dekretin për zgjedhje të pjesshme në këtë njësi vendore, më e madhja komunë në Shqipëri.