Një shqiptar i Kosovës u arrestua nga Komisariati nr. 4 në Tiranë pasi tentoi të trafikojë 10 pistoleta për t’i shitur në Fresk. Më herët agjentë të infiltruar i blenë atij 2 pistoleta për të dokumentuar veprimtarinë kriminale.
Dugagjin Berisha, 27 vjeç, u mbajt në vëzhgim gjatë gjithë itinerarit prej rreth 2 orësh, nga Pika Kufitare e Morinës deri te mbikalimi i Tufinës, kur Forcat Operacionale, të koordinuara me ato të Komisariatit nr. 4 ndërhyjnë për arrestimin e tij në flagrancë, përmes një taktike që i bllokon tërësisht lëvizjen gjatë daljes nga Unaza e Madhe.
Nga kontrolli i makinës u gjetën 10 pistoleta “Glock” me municion luftarak, të fshehura në pjesën e përparme të makinës, poshtë kofanos, të cilat ai po i sillte në Fresk me qëllim shitjen te një grup kriminal që bazën e ka në këtë zonë.
Hetimi për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë nisi disa javë më parë. Agjentë të infiltruar të policisë i blenë pak kohë më parë 27-vjeçarit shqiptar të Kosovës 2 pistoleta të tjera, po në Fresk, duke e çuar në 12 numrin e pistoletave të gjetura që synonte t’i çonte në duar të krimit.
Të njëjtën punë Dugagjin Berisha dyshohet se mund ta ketë kryer edhe më herët, ndërsa hetimi vijon për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në Shqipëri dhe Kosovë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të fokusit për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe bazuar në informacionet e grumbulluara, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, disa javore, kanë finalizuar operacioni i koduar “Barriera”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë operacionit në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë duke e ndaluar atë.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Volsëagen” me drejtues 27-vjeçarin, konkretisht nën kofanon e tij janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta Glock me municion luftarak.
Po në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar dhe dy pistoleta të tjera glock, gjithësej 12 pistoleta.
Nga hetimet ka rezultuar se 27-vjeçari do i shiste armët në zonën e Freskut.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë trafik të armëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, shprehu vlerësimin e veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për operacionet e njëpasnjëshme dhe të suksesshme që po zhvillon në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.
“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë.
Operacioni “Barriera”, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë.
Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër.
Armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve.
Sjell në vëmendjen tuaj se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit.
Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”,- shprehet Proda.
Policia ka publikuar pamjet nga ndalimi dhe arrestimi i 27-vjeçarit nga Kosova Dugagjin Berisha në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.
Efektivët e komisariatit nr.4 kanë pasur informacion për veprimtarinë e paligjshme të Berishën dhe e kanë vënë në ndjekje që prej hyrjes në pikën kufitare të Morinës. Ai është rrethuar nga policia dhe forcat e Operacionales në Unazën e Madhe teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Volsëagen’ ku dhe kishte fshehur armët në pjesën e kofanos.

Dugagjin Berisha
Efektivët e Komisariatit nr. 4 kanë pasur informacion që 27-vjeçari nga Kosova Dugagjin Berisha, do të udhëtonte drejt Tiranës dhe më pas drejt Freskut për të shitur pistoletat, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema. Ai është mbajtur në vëzhgim që në momentin që ka kaluar në Pikën Kufitare të Morinës dhe ka hyrë në territorin e Shqipërisë me makinën “Volkswagen”. Më herët, me agjentë të infiltruar, policia ia ka blerë 2 pistoleta në Fresk për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të armëve. Dyshimet janë se edhe më herët ai e ka kryer këtë veprimtari.
Komente











Nje "I lumte" e madhe policise!
Përgjigju