Raporti i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për muajin mars 2024 rendit Shqipërinë të parën në  klasifikimin ndërkombëtar të muajit prill për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri.

Sipas statistikave të publikuara nga ACI mbi trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019, për muajin prill të këtij viti Shqipëria shënon një rritje prej 260.8%.

Edhe kryeministri Edi Rama shpërndau statistikat ku krahasuar me vitin 2019 (para pandemisë), rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.

“Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur”, u shpreh ai, teksa publikoi raportin e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për muajin mars 2024.

“Edhe prilli me rritje mbresëlënëse, sepse Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq”, shkruan Rama.

Ndër të tjera tregon dhe efektet e kësaj rritjeje.

“Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, theksoi Rama.