Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për 6 personat e përfshirë në skemën e trafikimit të arabëve. Për pakistanezin Salim el Cheikh Joussef, gjykata ka caktuar masën për ndalim të tij për dalje nga vendi.

Për drejtoreshën e Kufirit dhe Migracionit, Enkeleda Toska dhe efektivët e përfshirë në trafikun e emigracionit Besnik Zela, Altin Hasani, Albana Metko është vendosur masa pezullim nga detyra dhe ushtrimi nga funksionet publike. Gjykata ka vendosur detyrim paraqitje dhe ndalim largimi nga vendi edhe për motrën e drejtoreshës së kufirit Enkeleda Toska, Suela Kaçabani, ku gjykata i ka bllokuar dhe sekuestruar pasaportën.

Zyrtarët e ndaluar akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh", kryer në bashkëpunim. SHÇBA njofton se hetimet vijojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave penale të konsumuara nga këta punonjës policie. Sipas SHÇBA-së ndalimi u krye pasi dyshohet se ata në bashkëpunim me persona të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdor atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e të huajve me leje qëndrimi.