Një 42-vjeçar nga Kosova është shpallur në kërkim të operacionit policor të koduar “Stolen line”, kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

Policia e Tiranës ka sekuestruar një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.

Blutë e kryeqytetit kanë proceduar penalisht blerësin e automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë.

Në kuadër të operacionit “Stolen line”, ka shkuar në 5 numri i automjeteve të vjedhura.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

Shkon 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit.

Sekuestrohet 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.

Procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë.

Identifikohet dhe shpallet shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri.

Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i automjetit, në momentin e ndalimit), shtetasi E. D., 39 vjeç.

Punohet për kapjen e 42-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.