Trafiku i ikonave, në burg dhe
i arrestuari i tretë Artan Koçiu

Trafiku i ikonave, në burg dhe<br />i arrestuari i tretë Artan Koçiu
TIRANE - Artan Koçiu, i arrestuari i tretë i operacionit "Ikona" doli sot para gjykatës së Tiranës për të marrë masën e arrestit. 

Gjykata e Tiranës i dha Artan Koçiut të njëjtën masë sigurie “arrest në burg” siç dha dje për Gjergji Thimon dhe Arben Spahon, të akuzuar për trafik të veprave të artit, të cilët (dy të fundit) u arrestuan mbrëmjen e 8 tetorit.

Dje dy të akuzuarit për vjedhjen dhe trafikimin e veprave të artit, Gjergji Thimo dhe Arben Spaho nuk e pranojnë akuzën.

Avokati i Gjergji Thimos hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se veprat e artit të sekuestruara nga policia janë koleksion i mbledhur prej vitesh nga klienti i tij, me leje edhe të Ministrisë së Kulturës.

Madje, sipas tij, Thimo ka hapur edhe një ekspozitë në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Më tej, avokati pretendoi se kjo ngjarje u bë e madhe, pasi dikush me pushtet ka kërkuar të blejë vepra arti nga klienti i tij, por ai nuk ka pranuar. Gjatë seancës gjyqësore, Thimo ka pohuar se asnjë nga ikonat nuk është e paregjistruar dhe disa prej tyre janë në proces verifikimi nga Qendra e Inventarizimit. I pandehuri ka sqaruar se ikonat i ruante dhe nuk kishte qëllim t’i trafikonte.

Koleksionisti është shprehur më tej se nuk ka asnjë ikonë të vjedhur dhe se disa ikona janë në proces verifikimi nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit. Pyetjes se a e njeh shtetasin Arben Spaho, ky shtetas u përgjigj se nuk e njeh, por thjesht ka qenë një klient i lokalit te tij.

Ndërsa Arben Spaho, para oficerëve të policisë gjyqësore është shprehur se Gjergj Thimo i kishte borxh dhe për t’ia shlyer atë i ka dhuruar disa ikona. Përsa i përket njohjes, i akuzuari Spaho ka deklaruar se me Gjergjin kanë punuar bashkë në fushën e restaurimit të ikonave, të cilin e ka perfeksionuar si zanat në Greqi.

Sipas prokurorisë, një pjesë e ikonave janë gjetur në banesën e Spahos natën e arrestimit. “Për të larë borxhin, Gjergji i ka dhënë disa ikona, të cilat i janë gjetur në banesë. Ai shpjegon se ka punuar shumë me Gjergjin, kryesisht në restaurimin e ikonave të vjetra. Ai e ka mësuar këtë zanat në Greqi”, është deklaruar nga organi i akuzës.

Por, sipas hetimeve të prokurorisë, të gjitha ikonat e sekuestruara dyshohet se janë vjedhur në kisha të ndryshme në Shqipëri. Megjithatë, nuk është paraqitur ndonjë provë për këto vjedhje dhe prokuroria deklaroi se po vijon verifikimi për të zbuluar vendet, ku janë grabitur objektet e kultit mesjetar. Duke dëgjuar të dyja palët, në përfundim të masës, gjykata vendosi të lërë në burg të dy të akuzuarit.

Artan Pelivan Koçiu, 52 vjeç banues në Tiranë u arrestua më 10 tetor në vijim të operacionit IKONA të kryer nga strukturat e luftës kundër trafiqeve të paligjshme.
 
Redaksia Online
(Arsen Rusta, Jonida Aliu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu