Prokuroria e Posaçme ka njoftuar këtë të premte se ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal prej 10 personash që trafikuan nga Kolumbia në Shqipëri 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik, krim për të cilin u dënuan me 89 vite burg në total nga Gjykata e Posaçme në qershor të vitit 2024.

Klevent GjolenaAldi Zonja dhe Musa Gjikola janë arrestuar nga blutë pasi Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK lëshoi masën e sigurisë "arrest në burg". Në kërkim janë shpallur Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi.

Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar: 1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018; 1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012; 1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012; 1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017; 2 aparate celularë. 

Sasia prej 485.5 kilogramësh kokainë, e përzier me pleh kimik, u zbulua më 24 nëntor 2022 në banesën e ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku e cila ishte kthyer në një laborator kokaine.

Për këtë rast, në qershor të vitit 2024 u dënuan me 89 vite burg nga Gjykata e Posaçme Nikolin Gjolena, Viktor Cervanaku, Enxhi Ferhati, Klajdi Kodra, Bledar Matoshi, Denilson Çervanaku, Zenel Çervanaku , Redion, Julian Malaj dhe Marildo Rona.

Nga hetimi për rastin e Frakullës, SPAK zbuloi edhe një tjetër grup të trafikut ndërkombëtar të drogës dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës. Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikimin. Nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë” ata transportonin kokainën të fshehur në lëkurët e gjedhëv. Në atë rast hetimet zbuluan se ishin sjellë në Shqipëri 48 tonë lëkurë gjedhësh (me kripë), të cilat vinin nga Republika Domenikane.

Për këtë rast, Aldi Zonja, për të cilin u lëshua një urdhër i ri arresti, është prangosur në vitin 2024.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka zhvilluar veprime të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit penal nr/141/1.1 i vitit 2026 (pa autor) që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.

Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.

Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.

Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.

Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.

Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:

  • 1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
  • 1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
  • 1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
  • 1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
  • 2 aparate celularë. 

Hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi dhe Kolumbisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:09
Pjesë e trafikut të kokainës/ Aldi Zonja shkoi në Amerikën Latine si turist, por gjatë pandemisë u bllokua atje dhe u ‘bë’ trafikant, reklamonte jetë luksi në rrjetet sociale

1772818280_srtyusiui.png

Ditën e sotme SPAK përveç 10 të dënuarve për grupin që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe Europës, ka identifikuar edhe 5 anëtarë të tjerë të grupit.

Mes tyre edhe Aldi Zonja, i arrestuar në nëntor të vitit 2024 pas aksionit të SPAK, i cili do të gjykohet për 2 raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, për atë të laboratorit të drogës në Frakull të Fierit dhe për atë të laboratorit në Qerrekë të Fushë-Krujës.

37-vjeçari Zonja, siç mësoi edhe Report Tv, kishte shkuar në Amerikën Latine me vizë turistike, por gjatë periudhës së pandemisë mbeti i bllokuar atje.

Gjatë kësaj kohe dyshohet se ai ka krijuar edhe lidhjet me trafikantët për të organizuar këtë skemë të mirëfilltë të trafikut të kokainës.

37-vjeçari, i përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme edhe si një prej anëtarëve të këtij grupi, shfaqte në rrjetet sociale një jetë luksi.

Jakuzi në breg të detit, ski, pjesë e dasmave të shtrenjta, nga ku ka ndarë edhe një foto me Artion Çaushllarin. Edhe ky i fundit ka rënë në pranga dhe është pjesë e kokave kryesore të grupit që drejtonin skemën e trafikut. 

Ndërkohë, nga operacioni i SPAK asokohe në pranga ra edhe Baki Huqi, 43 vjeçar. Ai rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar më herët për 2 vrasje të kryera, njëra në vitin 1997 dhe tjetra në 2013-ën.