DURRES/TIRANE - Pasdite, vrasësi i dyfishtë Ardian Tragaj u arrestua nga forcat e rendit. Ai u dorëzua vetë pas negociatave me policinë ndërkohë që iu sekuestrua edhe një armë, që mendohet të jetë ajo e krimit. Tragaj, pas shkëmbimit të zjarrit paraditen e sotme për shkak të një konflikti pronash, ka mbetur i plagosur.

Ardian Tragaj, autori i dy vrasjeve sot në plazhin e Golemit, në Durrës, është vetëdorëzuar pranë policisë pas negociatave me forcat e rendit. Atij i është gjetur edhe një armë, që mendohet se është ajo që ka përdorur për t’i marrë jetën dy personave.

Piktor dhe shkrimtar, Tragaj e shprehur qartë mendimin e tij për vdekjen edhe në tekstin me të cilin ka zgjedhur të përshkruaj veten në faqen në Internet të galerisë që mban dhe emrin e tij, www.ardian-tragaj.com.

“Të vdekshmen si nocion e kemi nxjerrë ne qëniet e gjalla (njerëzore), nga paaftësia për të perceptuar ato gjësende që ne i quajmë të vdekshme apo të vdekura. Prandaj do të ishte më mirë dhe më e pranueshme në vend të fjalës vdekje të thonim shëndrrim per vazhdimesi”. Teksti është shkëputur nga libri “Tregime” firmosur nga vetë ai.

Autor i disa ekspozitave, Tragaj, ka pritur në galerinë e tij edhe punime të piktorëve të tjerë. Në faqen e tij në internet, mes fotove të shumta, spikasin edhe ato ku Tragaj ndodhet pranë liderëve të disa prej partive të djathta në vend, si kreu i PD Sali Berisha dhe ai i Republikanëve, Fatmir Mediu, dëshmi e pasionit të tij jo vetëm për artin por edhe për politikën.

VRASJA E DYFISHTE
Armët janë shkrepur sot paradite, diku rreth orës 11:30 pranë Malit të Robit në Kavajë, ditën për diell dhe në një zonë të mbipopulluar në këtë sezon veror, duke shkaktuar panik tek pushuesit.

Viktimat janë Sulejman Shehu, 49 vjeç e Durim Pashallari, 50 vjeç të plagosur janë Erjon dhe nëna e tij, Beglie Shehu. Vrasja ka ndodhur pranë kompleksit turistik “Mak Albania” dhe shkak është konflikti i pronësisë.

“Nga kronologjia dhe hetimet paraprake të ngjarjes, rezulton se fillimisht konflikti ka nisur ndërmjet shtetasve Durim Pashallari, roje i objektit ku ndodhi ngjarja (objekt i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga) dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë. Ndërkohë në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Erjon dhe Begle Shehu (kjo e fundit bashkëshortja e Sulejman Shehut), vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut, aktualisht te ndaluar nga Policia. Konflikti ka përfunduar me të shtëna armësh dhe me pasoja sa sipër”, deklaroi policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Për hetimin e kësaj ngjarje, aktualisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po kryen proçedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore dhe proçeduriale, ku paraprakisht dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive të pronësisë.

(im/sg/shqiptarja.com)