Kush udhëton në rrugë detare e di fort mirë se tmerri më i madh është të mbetesh i bllokuar. Anija që fundoset ndërsa ti nuk mund të dalësh, në kurth mes portave. Vdekja që vjen nga asfiksia apo nga nxehtësia e flakëve. Kjo duket se ka ndodhur edhe për shumë të pafatë në bordin e Norman Atlantic sipas dëshmisë së tre prej të mbijetuarve të tragjedisë së 28 dhjetorit në ujërat e Adriatikut.

“Pamë njerëzit të vdisnin nga asfiksia, trupat e tyre janë ende në anije. Kur nje prej portave zjarrduruese u mbyll, shumë mbetën të bllokuar pas nesh dhe nuk ja dolën. Përplasnin duart fort që ta hapnim, por ne nuk mundëm dot. Unë i pashë shumë mirë dy prej tyre të vdisnin nga tymi”. Është ky rrëfimi i tre shqiptarëve me nënshtetësi greke që arritën të shpëtojnë gjallë nga trageti. Rrëfimi është bërë pranë avokatëve të tyre Alessandra Guarini, Cesare Bulgheroni dhe Massimiliano Gabrielli të impenjuar edhe në çështjen e tragetit Costa Concordia.



Bëhet fjalë për skenare makthi që tregojnë për fundin e tmerrshëm që kanë patur mesa duket dhjetra vetë në bordin e Norman Atlantic. Tre të mbijetuarit, një grua e re me vjerrin e vjerrën e saj të ardhshme jetojnë në Greqi dhe ishin nisur drejt Ravenës për të vizituar disa të afërm.

Një tjetër episod që ata i kanë treguar avokatit të tyre ka të bëjë me fazën e evakuimit. “Pamë një burrë që po ngrihej nga helikopteri ndërsa ra mbi urë. Pamë vetëm gjak, nuk e dimë nëse mbijetoi apo jo. Na u desh të shqyenim arkat për të gjetur jelekët e shpëtimit”. Ashtu si shumë të tjerë edhe këta të mbijetuar tregojnë se nuk janë asistuar nga ekuipazhi por u braktisën dhe ishte fat që ia dolën të mbijetojnë. Për më tepër u kanë treguar avokatëve të tyre se një pjesë e ekuipazhit u ngjit në varkat e shpëtimit dhe braktisi tragetin në flakë bashkë me pasagjerët në bord.