GREQI- Një 50-vjeçare në Greqi ka humbur jetën në saj të një aksidenti fatal në punë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në Mesolongji, në një dyqan mishi, pronari i së cilit është vënë në pranga nga policia greke. 

Media greke Protothema.gr raportojnë se gruaja shqiptare punonte në një dyqan mishi ku kryente punë, kryesisht pastrimi, me makineritë që prisnin mishin.

Ana, gruaja fatkeqe, e moshës rreth 50-vjeçare, ka shkuar për të pastruar makinerinë që pret mishin dhe dyshohet se i janë kapur flokët duke e tërhequr dhe copëtuar.

Mësohet se tragjedia ka ndodhur përballë vajzës së viktimës, e cila ka nisur të klithë. Nënë e bijë duket se kanë punuar së bashku duke pastruar dyqane.

Trupi i gruas fatkeqe u dërgua për autopsi në Patra, ndërsa hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të shkakut të ngjarjes po kryhen nga autoritetet greke.

Vajza e 50-vjeçares, e cila pa me sy të gjithë ngjarjen e rëndë, u dërgua në gjendje shoku në spital. 

Gruaja jetonte në Mesolongji me dy fëmijët e saj, vajzën dhe djalin 10-vjeçar, dy vitet e fundit, kur erdhi nga Shqipëria, pas ndarjes me bashkëshortin.

“Ishte një grua shumë e mirë, punonte nga mëngjesi në darkë së bashku me të bijën duke pastruar dyqanet, për të bërë bukën e gojës”, tregon një person që e njihte në lagje.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:09
FOTO/ E preu makineria e mishit teksa po pastronte, kjo është shqiptarja që humbi jetën në Greqi! Arrestohet pronari i dyqanit të mishit

Kjo është Ana, shqiptarja që humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e së premtes në Greqi teksa po pastronte makinerinë e mishit në punë.

Mediat greke raportojnë se në pranga ka rënë pronari i dyqanit të mishit në Mesolongji, ku vdiq 50-vjeçarja shqiptare.

Ndërsa hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të shkakut të ngjarjes po kryhen nga autoritetet greke.

Trupi i gruas fatkeqe u dërgua për autopsi në Patra.