Tragjedi në Greqi/ Del VIDEO nga momenti kur 2 trenat përplasen 'kokë më kokë'! 44 të vdekur, dhjetëra të plagosur, mes tyre 8 shqiptarë! Dorëhiqet ministri i Infrastrukturës (FOTO+VIDEO)

Një tragjedi ka ndodhur në Larisa të Greqisë ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 44 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë. Mes të plagosurve ka pasur edhe fëmijë të moshave 6-7 vjeç dhe 53 prej tyre po marrin ndihmën mjekësore në spital, ndërsa 32 të tjerë kanë shpëtuar pa dëmtime të shumta. Mësohet se mes të plagosurve janë edhe 8 shqiptarë, gjendja e të cilëve fatmirësisht paraqitet e qëndrueshme. Ndërkohë nuk dihet fati i një tjetër shqiptari, 23 vjeç që ishte në trenin nga Selaniku drejt Athinës. Për pasojë, ka dhënë dorëheqjen ministri i Infrastrukturës në Greqi

Aksidenti fatal ndodhi pak pas mesnate në luginën e Tembit pranë Larisës, për shkak se të dy trenat ishin duke lëvizur në të njëjtët binarë. Pas ngjarjes është vënë në pranga shefi i stacionit të hekurudhës së Larisës i cili kishte dhënë urdhrin e gabuar që treni i pasagjerëve të lëvizje në të njëjtën trase me trenin e pasagjerëve, nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe. Një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 pasagjerë në bord u përplas me një tren mallrash pranë qytetit të Larisës. Mësohet se përplasja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme.

Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Ministri i transporteve të Greqisë Kostas Karamanlis tha nga vendi i ngjarjes se operacioni i kërkim shpëtimit vijon edhe gjatë natës.

Dhjetëra oficerë policie dhe 150 zjarrfikës morën pjesë në operacionet e shpëtimit. Rreth tridhjetë autoambulanca ishin gjithashtu në vend. Dy spitale në zonën e Larisës janë hapur për të akomoduar të plagosurit e shumtë, 25 prej të cilëve thuhet se janë në gjendje të rëndë.

"Po vazhdojmë kërkimet në kushte shumë të vështira për shkak të ashpërsisë së përplasjes midis dy autokolonave," shpjegoi zëdhënësi i zjarrfikësve Vassilis Varthakoyiannis.

"Kemi përjetuar diçka shumë tronditëse. Unë nuk jam i lënduar, por jam njollosur me gjakun e personave të tjerë që u plagosën pranë meje", tha një nga pasagjerët e intervistuar nga gazeta Protothema.

Guvernatori i rajonit, Konstantinos Agorastor, nënvizoi se përplasja mes dy trenave ishte "shumë e fortë", aq sa dy vagonët e parë të njërit prej trenave u shkatërruan "pothuajse plotësisht". 

Ky konsiderohet si një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë e Greqisë dhe i gjithë vendi është i shokuar. Autoritetet më të larta të vendit vizituan zonën ku ndodhi tragjedia duke premtuar hetim të plotë dhe vënien e përgjegjësisë për ata që e shkaktuan. Presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropoulou, ndërpreu vizitën e saj në Moldavi dhe u shkoi në zonën e aksidentit. Ajo e quajti një tragjedi të paimagjinueshme, ndërsa kryeministri Mitsotakis shpalli tre ditë zie kombëtare.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:38
Tragjedia në Greqi, shkon në 44 numri të viktimave nga përplasja e trenave! Pjesa më e madhe janë të moshës 20-30 vjeç

1677703307_rr.JPG

Ka shkuar në 44 numri i të vdekurve nga aksidenti i trenit në Tempi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Siç theksoi ai, ekspertiza mjeko-ligjore ka përfunduar në 44 trupa, të cilët janë në gjendje shumë të keqe dhe pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me fëmijë të vegjël me moshë të llogaritur 20-30 vjeç.

Një proces shumë i vështirë dhe i dhimbshëm, mjaft i gjatë pasi do të duhen disa ditë për identifikimin e plotë të viktimave. Disa nga viktimat janë të copëtuara, ndaj është shumë e vështirë edhe t'i identifikosh.

Në spital ndodhen 4 mjekë, ndërsa sipas informacioneve i pranishëm është edhe Shefi i Shërbimit Mjekësor Ligjor të Athinës.

Në të njëjtën kohë, gjashtë të rinj të moshës 20-25 vjeç po bëjnë betejën e tyre për të qëndruar gjallë në repartet e terapisë intensive në Spitalet e Larisës, ndërsa ka edhe mbi 50 të lënduar, të cilët janë shtruar në spital dhe marrin kujdes dhe duket se po bëjnë. mirë.

Ora 18:46
Del VIDEO/ Momenti i aksidentit tragjik kur u përplasën 2 trena në Greqi

1677693027_er.JPG

Një kamera sigurie ka kapur momentin tronditës kur treni i pasagjerëve dhe mallrave u përplasën duke vrarë 40 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Sipas asaj që shihet në video, treni i mallrave që lëviz për në Larisa dhe treni i pasagjerëve që u nis në orën 19:22 nga Athina janë në të njëjtën linjë, duke lëvizur me shpejtësi 166 km/h dhe nuk mund të shmangin përplasjen.

Shihni VIDEON këtu

Ora 17:31
Arrestohet drejtuesi i stacionit të Larisës, dha urdhrin në momentin e gabuar

1677689014_tren.JPG

Drejtuesi i stacionit të Larisës ka pranuar se është fajtor për aksidentin tragjik të përplasjes së dy trenave. Gabimin e tij fatal thotë se e ka bërë pasi ka dhënë urdhrin për ndërrimin e rrugës në momentin e gabuar. Teksa është vënë në pranga, ai do të akuzohet për veprën penale të prishjes së sigurisë së transportit që ka rezultuar me vdekjen e disa personave dhe parashikohet dënimi nga 10 vite deri në burgim të përjetshëm.

Ora 17:22
Tragjedia në Greqi, në tren ishin 9 shqiptarë! 8 janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, nuk dihet fati i 23-vjeçarit

1677688270_tren.JPG

Nëntë shqiptarë mësohet se kenë qenë në tren në momentin e përplasjes pranë Larisës në Greqi.

Ata janë: Elisea Paco, Vanesa Plasa, Erisa Almeta, Franklin Desani, Alma Shtoni, Roberto Drithi, Anisa Liuri dhe Dhimitër Zonga. Vetëm njëri prej tyre ka mbetur i plagosur ndërsa 7 të tjerë janë në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë 23-vjeçari nga Tirana ndodhej në një prej vagonave të trenit dhe po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut. Ai është i zhdukur pasi familja nuk ka asnjë informacion nëse ka humbur jetën apo është plagosur.

Ora 15:30
Aksidenti tragjik në Greqi, jep dorëheqjen ministri infrastrukturës: Është ajo që e ndjej për detyrë të bëj

1677681042_beridsh.JPG

Ministri i Infrastrukturës, Kostas Karamanlis njoftoi dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, pas përplasjes së trenit në Larisa.

“Është ajo që e ndjej për detyrë të bëj”, deklaroi ai – Dorëheqja është dorëzuar menjëherë pasi u kthye nga vendi i përplasjes së trenit në Larisa.

Kostas Karamanlis njoftoi dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, pas përplasjes së trenit në Larisa.

Siç shprehet ai në deklaratën e tij, dorëheqja e tij ishte diçka që ai e ndjente si detyrë “si një shenjë e vogël respekti për kujtimin e njerëzve që u larguan kaq padrejtësisht dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet e përjetshme të shtetit dhe sistemit politik grek”.

 “Sapo jam kthyer nga skena e tragjedisë së trenit në Tempe. Dhimbja është e papërshkrueshme.

Është fakt që hekurudhën greke e kemi marrë në një gjendje që nuk i përshtatet shekullit të 21-të. Në këto 3.5 vite kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta përmirësuar këtë realitet. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një aksident të tillë. Dhe kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe për mua personalisht.

Kur ndodh diçka kaq tragjike, nuk është e mundur të vazhdohet sikur të mos kishte ndodhur. Unë kam disa vite që jam në politikë, por e konsideroj element të domosdoshëm të demokracisë sonë që qytetarët e vendit tonë t'i besojnë sistemit politik. Kjo quhet përgjegjësi politike.

Për këtë arsye jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit. Është ajo që e ndjej për detyrë të bëj si një shenjë minimale respekti për kujtimin e njerëzve që u larguan kaq padrejtësisht dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet e përjetshme të shtetit dhe sistemit politik grek.

Nga thellësia e zemrës, edhe një herë shpreh dhimbjen dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”.

Ora 12:48
Detaje nga aksidenti tragjik me 40 të vdekur në Greqi, 5 shqiptarë mes personave të plagosur

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije se në aksidentin tragjik të ndodhur në Greqi, mes të plagosurve janë edhe 5 shqiptarë të cilët po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Ora 12:24
Përplasja e trenave në Greqi, kreu i Komitetit shqiptar në Selanik për Report Tv: 2 të arrestuar! Pjesa më e madhe e viktimave janë studentë

 

2 persona janë arrestuar pas përplasjes së 2 trenave në Greqi, që solli deri tani vdekjen e 38 personave e dhjetrave të plagosurve. Kështu u shpreh Luan Zyka, kreu i komitetit shqiptar në Selanik, në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, i cili shtoi se hetimet po kryhen nga Gjykata e Lartë. Sipas Zykës deri tani nuk ka raportime zyrtare për prani të shqiptarëve në aksidentin tragjik. Zyka shtoi se po bëhet identifikimi i viktimave dhe shtoi se pjesa më e madhe e tyre janë studentë.

‘Po bëhet identifikimi i kufomave. Është një ngjarje tragjike, deri tani nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për praninë apo jo të shqiptarëve. Shumica janë studentë që kanë humbur jetën, pasi ktheheshin nga pushimet në Universitete e Selanikut. Akoma nuk dihet numri përfundimtar. Kjo është fatkeqësi që ka ndodhur. 2 persona janë arrestuar për ngjarjen. Gjykata e Lartë po e merr çështjen në dorë për të zbardhur shkaqet. Është një rrugë me probleme në qarkullim. Hekurudha është me dy kalime, si u lejuan që në të njëjtën linjë të shkonin dy trena? Mendoj se gabimi është njerëzor, indiferentizmi, mos organizmi i mirë. S’kemi asnjë të dhënë për shqiptarë.’- u shpreh Zyka.

Ora 11:51
Mitsotakis mbërrin në Larisa ku ndodhi përplasja e 2 trenave: Garantoj se do zbulojmë shkaqet e tragjedisë që të mos përsëritet më

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në vendin ku ndodhi tragjedia në Larisa të Greqisë. Ai garantoi se do të zbulohen shkaqet e tragjedisë dhe se do të bëhet gjithçka që të mos përsëritet.

“Është një tragjedi e patregueshme, mendimet tona janë me familjarët e viktimave. Detyra jonë është të mjekojmë të plagosurit, të identifikojmë të vdekurit. Një gjë që mund të garantoj është se do të zbulojmë shkaqet e tragjedisë dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ajo të mos përsëritet”, tha kryeministri grek.

Ora 11:21
A ka shqiptarë të lënduar nga përplasja e dy trenave në Greqi? Gazetari shqiptar për Report Tv: Ka të plagosur, por s’dihet për viktima.

Nga përplasja e dy trenave komë më kokë në Greqi, ku deri më tani raportohet për 38 viktima dhe dhjetëra të plagosur, dyshohet se mes të lënduarve ka edhe shqiptarë. Kështu bëri me dije në një intervistë për Report Tv gazetari shqiptar Etmond Guri.

'Ka shqiptarë të lënduar, por nuk ka të kofn8irmuar viktima. Nuk kemi ende një bilanc. Ka shqiptarë që kanë qenë në tren. Ne urojmë mos të ketë viktima, po pritet që të informohemi nga autoritete përkatëse, dëmtimi i vagonëve ka qenë shumë i madh. Vështirësohet edhe puna e kërkim shpëtimit, shumë trupa është e pamundur që të identifikohen.'- tha Guri.

Sipas Gurit numri më i madh i viktimave janë të rinj, të cilët udhëtonin me tren për në Selanik.

‘Pjesa më e madhe e viktimave janë të rinj, pasi përdorin trenin për të udhëtuar në Selanik. Fatkeqësisht dyshohet se numri i viktimave mund të rritet.’- tha Guri.

Ora 11:09
Tragjedia në Greqi, Komisioni Europian ul flamujt në gjysmështizë

Me vendim të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen, flamujt e BE-së janë ulur në gjysmështeza në të gjitha ndërtesat e Komisionit Evropian, në kujtim të viktimave të tragjedisë së Tempes.

“Evropa vajton me grekët”, shkruan në postimin e tij komisioneri Margaritis Schinas.

Ora 10:26
Gabimi që mund të ketë sjellë tragjedinë me 38 të vdekur në Greqi, makinisti nuk ndërroi binarët

1677662910_Screenshot1.jpg

Fakti që makinisti nuk ka ndërruar binarët dhe të dy trenat e përplasur në Greqi përfunduan në të njëjtin binar ishte, mund të ketë sjellë tragjedinë me pasojë vdekjen e 38 personave dhe plagosjen e 85 të tjerëve.

E vetmja gjë që është e sigurt për momentin është se treni i pasagjerëve numër 62 është gjetur në binarin e poshtëm – për në Athinë – në të cilin treni tregtar tashmë po nisej, ndërsa normalisht duhet të ishte në binarin e sipërm – për në Selanik. Sipas indikacioneve të para, aksidenti tragjik me 38 të vdekur duket se i atribuohet gabimit njerëzor, edhe pse kjo mbetet për t’u hetuar.

Vlerësohet se makinisti i stacionit në Larisa nuk ka lëvizur çelësat, përmes të cilëve rregullohet mekanikisht kalimi i trenave në kryqëzime, duke i dërguar dy trenat në të njëjtën linjë. Presidenti i makinistëve të OSE-së në Greqi, z. Kostas Genidounias, tha se nëse do të kishte funksionuar sinjalizimi me dritë, tragjedia mund të ishte shmangur. “Ndodhi që ne kemi bërë thirrje vitet e fundit pasi sistemet elektronike nuk funksionojnë dhe gjithçka bëhet manualisht në aksin Athinë-Selanik.”

Ora 10:21
Përplasja e trenave në Greqi, 7 pasagjerë u shkrumbuan krejtësisht! Pritet të bëhet testimi i ADN-së për identifikimin e trupave

Testimi i ADN-së do të jetë i nevojshëm për të identifikuar disa trupa në Greqi që humbën jetën nga përplasja e trenave në Greqi. Ata ndodhen në morgun e përgjithshëm të Larisës.

Siç raportoi për median Rubini Leontari, shefe e Shërbimit Mjekësor dhe Mjekësor të Larisses, të Spitalit të Përgjithshëm të qytetit, ‘transferimi i trupave vazhdon’

“7 trupa janë të karbonizuar. Procesi i identifikimit nuk ka filluar ende. Disa trupave kanë nevojë edhe për dëshmi të ADN-së për identifikim për shkak të karbonizimit”.- tha ajo.

Pjesa më e madhe e trupave i përkasin të rinjve, por mes tyre nuk u gjet asnjë fëmijë.

Ora 09:46
Charles Michel reagon pas përplasjes së trenave në Greqi: Ekipet e shpëtimit të vazhdojnë punën e tyre të vështirë

1673877736_klnk.GIF

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka reaguar pas përplasjes së dy trenave në Greqi. Në reagimin e postuar në twitter në gjuhën greke, Michel u ka bërë thirrje ekipeve të kërkimit që të vazhdojnë punën e vështirë me guxim dhe forcë.

“Mendimet e mia janë me popullin e Greqisë këtë mëngjes. Të tronditur nga lajmet dhe pamjet e përplasjes së dy trenave në Tempe. Ngushëllime familjeve të viktimave. Guxim dhe forcë ekipeve të shpëtimit që vazhdojnë punën e tyre të vështirë”- shkruan Michel.

Ora 09:12
Tragjedia me përplasjen e 2 trenave ku vdiqën 36 persona, Mitsotakis shpall tre ditë zie kombëtare në Greqi

1675795125_Mitsotakis675x450.jpg

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka shpallur tre ditë zie kombëtare për 36 viktimat e aksidentit hekurudhor në Larisa të Greqisë. Vendimi i tij hyn në datë sot në 1 mars deri në 3 mars, ku flamujt do të valëviten në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike.

 

Ora 08:21
36 të vdekur nga përplasja e dy trenave në Greqi, reagon presidentja e PE: E trishtuar thellësisht! Mendimet tona janë me popullin grek pas kësaj tragjedie

1644865865_metsola.jpg

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola ka reaguar për aksidentin tragjik që ndodhi në Greqi mbrëmjen e djeshme ku 36 persona humbën jetën nga përplasja e dy trenave.

Nëpërmjet një postimi në twitter, Metsola shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave ndërsa tha se e gjithë vëmendja ishte në Greqi pas kësaj ngjarje tragjike.

“E trishtuar thellësisht nga përplasja e tmerrshme e trenit pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Mirënjohëse për të gjithë shpëtimtarët dhe stafin mjekësor në vendngjarje. Mendimet tona janë me popullin e Greqisë pas kësaj ngjarje tragjike”-shkruan Metsola.

Ora 08:02
‘Të shkojë ku të shkojë!’ dëshmia e pasagjerit që shpëtoi nga përplasja e trenave në Greqi

Dëshmitë e pasagjerëve që shpëtuan nga përplasja e trenave e në Greqi janë rrëqethëse. Një nga udhëtarët u shpreh se dëgjoi në radio frazën: 'Shkojmë kudo që të dalë’.

Ai u tha gazetarëve: Kur dëgjuam shoferin duke folur me oficerin e biletave dhe duke thënë ‘hajde të shkojmë kudo që të shkojë’, me siguri, ju e keni paramenduar se diçka nuk shkon. E kam dëgjuar përmes radiove, “hajde të shkojmë kudo që të shkojë”. Kjo është ajo, asgjë tjetër. U vonuam për shkak të trafikut të rënduar në linjat hekurudhore, thanë se do të vononim 15 minuta, sepse është një binar. Ndoshta duhej të vononim më shumë, gjërat nuk u caktuan në kohën e duhur nga OSE”.

Ora 08:01
Përplasja e trenave, gazetari shqiptar në Greqi flet për Report Tv: Dyshohet se s'ka pasur sinjalistikë sigurie

Nga Greqia, gazetari Etmond Guri në një intervistë për Report Tv foli për aksidentin e rëndë të përplasjes së dy trenave, ku kanë humbur jetën 32 persona. Sipas Gurit, nga informacionet e para bëhet e ditur se nuk ka pasur sinjalistikë sigurie apo mjete sigurie që informojnë stacionet përkatëse për hyrjen dhe daljen e trenave ne linjë.

‘Sipas informacioneve të para janë sindikatave e punëtoreve të shinave të hekurudhës të cilët denoncojnë se në këto pika dhe shumë pika nuk ka pasur sinjalistikë sigurie apo mjete sigurie që informojnë stacionet përkatëse për hyrjen dhe daljen e trenave ne linjë.’- u shpreh ai.

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, Guri u shpreh se ‘ka frikë se në mesin e pasagjerëve mund të ketë edhe shqiptarë’.

‘Përveç shqiptarëve mund të ketë edhe emigrantë që lëvizin nga zona të ndryshme për në veri të Greqisë. Kjo është edhe tragjedi më vete se nuk ka kontakte me persona të tjerë dhe është e vështirë identifikimi i tyre.’- u shpreh ai.

 

Ora 07:50
‘Më morën flakë flokët, s’e di si shpëtova’, dëshmitë e pasagjerëve që shpëtuan nga përplasja e trenave në Greqi

Të mbijetuarit nga përplasja ndërmjet dy trenave në Greqi i përshkruajnë me ankth momentet e tmerrit që përjetuan.

‘Më morën flakë flokët, mama. Nuk e di si arrita të dal’. – i tha nja një pasagjere mamasë së saj.

Një nënë tjetër, e cila ende nuk kishte mundur të kontaktonte me vajzën e saj, po përpiqej më kot të gjente informacione për vendndodhjen e fëmijës së saj. 

Gjithsej pesë autobusë kaluan nga Stacioni i Ri Hekurudhor për të transportuar pasagjerët nga vendi i aksidentit në Selanik. Shumica prej tyre kanë zbritur shkallët e autobusit në gjendje shoku dhe kanë rënë në krahët e të afërmve të tyre duke shpërthyer në lot. 

“Ishin disa sekonda që dukeshin si një shekull”, thotë një nga pasagjerët e parë që mbërriti. “Mendova se do të vdisja”, tha një i ri. Siç e përshkroi ai, fillimisht ndjeu një tronditje dhe më pas pa vagonat e përparme që po dilnin nga shinat. 

“Njerëzit filluan të bërtasin brenda, vajzat qanin. Fatmirësisht, dera e pasme u hap dhe të gjithë dolëm jashtë”, përshkroi një tjetër pasagjer që u shpëtua. Disa nuk patën edhe aq fat dhe siç thanë, u desh të thyenin dritaren e me valixhen për të dalë ose gjetën një vrimë dhe arritën të shpëtonin kur vagonët ishin "kthyer". 

Ora 07:28
FOTO/ Si ndodhi tragjedia ku vdiqën 36 persona në Greqi, treni i mallrave u përplas me atë të pasagjerëve

 

Kjo është një prej fotove që tregon sesi ka ndodhur përplasja mes trenit të pasagjerëve dhe atij të mallrave në Greqi. Të dy trenat kanë qenë në të njëjtat shina siç duket për shkak të një moskoordinimi mes tyre dhe për pasojë janë përplasur duke shkaktuar 36 të vdekur dhe 85 të plagosur.

B.V//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E Pafalshme!: 01/03/2023 19:30

    Po me gjithe kete teknike super te kompjuterizuar dhe elektronike super modrne qe eshte tani per manovrimeve, sinjalistike, komanda dhe te gjitha te tjerave dhe ndodhin akoma keto tragjedira?!! Kjo eshte per te vene duart ne koke...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja