Një punëtor shqiptar, 35 vjeç, ka humbur jetën në mënyrë tragjike të mërkurën kur u godit nga një trung peme dhe ra në një humnerë. 

Ngjarja ndodhi në një zonë pyjore në Rasora të Castiglione dei Pepoli, në provincën e Bolonjës.

Sipas mediave të cilave u referohet Shqiptarja.com, 35-vjeçari ishte duke punuar në prerjen e pemëve së bashku me një koleg. Ndërsa po sistemonte trungjet e prerë,një trung u shkëput duke e shtyrë drejt humnerës.  

Kolegu i tij kërkoi menjëherë ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërritën karabinierët, ekipet e Shpëtimit Alpin dhe shërbimi i Mjekësisë së Punës i Autoritetit Shëndetësor Lokal (Ausl).

Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, 35-vjeçari nuk arriti të mbijetonte. Trupi i tij u nxor nga humnera dhe u vu në dispozicion të autoritetit gjyqësor.

Autoritetet italiane po kryejnë verifikimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit.