TIRANE- Një informacion tepër sekret ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë Vlorë, tre ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë e 9 Janarit. Informacioni njoftonte specialistin e policisë Edmond Mustafai, se Elton Tafili po përgatitej të sillte nga Greqia një gomone, të cilën do e përdorte në trafikun e drogës dhe klandestinëve. Ky informacion është administruar në dosjen informative të specialistit të sipërcituar, mirëpo në asnjë rast nga ana e krerëve të policisë së asaj kohe në Vlorë, nuk është vepruaruar për kapjen e gomones, nga ku do parandalohej tragjedia e rëndë.

Gazeta “Shqiptarja.com”, zotëron një raport të ish-kreut të Policisë së Shtetit Bajram Ibraj, ku njoftonte ish-Presidentin e Republikës Alfred Moisiu, lidhur me informacionet që ka pasur SHISH, Policia e Shtetit, për ngjarjen e 9 janarit, ku humbën jetën 28 persona. Raporti është përpiluar nga Bajram Ibraj në datën 29 janar 2004, ku tregonte vjeljen e të dhënave dhe administrimin e operacionit të kërkim-shpëtimit. Një raport i tillë ka ardhur 20 ditë pas tragjedisë së rëndë, ku me anën e një shkrese zyrtare ish-presidenti i asaj kohe Moisiu, shtroi pyetjen: Nëse ka pasur informacion nga strukturat e Policisë së Shtetit apo shërbime të tjera informative për përgatitjen e kësaj ngjarje, nëse po, kur dhe si janë administruar?

Informacioni sekret
Në përgjigjen e tij ish-kreu i policisë së Shtetit Bajram Ibraj, pranon se strukturat policore kanë pasur informacion për organizimin e udhëtimit të klandestinëve nga Vlora në drejtim të Italisë. Madje njeriu që po e organizonte këtë veprimtari me mjete konkrete ka qënë shtetasi Elton Tafili. Në raportin e tij Ibraj shkruan: “… Specialisti Edmond Mustafai, kishte marrë informacion nga një burim konfidencial më datën 06 janar 2004. Ky informacion gjendej në dosjen e tij të informative dhe kishte këtë përmbajtje: ….Elton Tafili, banor i lagjes Isa Boletini, Vlorë, po përgatit të sjellë një mjet lundrues nga shteti Grek me qëllim për të trafikuar qënie njerëzore dhe lëndë narkotike në drejtim të Italisë.

Specialisi Mustafai, i ka paraqitur si detyrë burimit,për të mësuar kohën se kur do të merrej gomonia nga ky person. Informacioni mban shënimin e shefit të Zyrës Kundër Trafiqeve në datën 8 janar 2004 me këtë përmbajtje: … Z. Mondi, të verifikohet dhe nga një burim tjetër dhe të mbahet në kontroll shtetasi Elton Tafili me qëllim goditjen e tij….”-thuhet në shkresat sekrete të policisë.

Mosveprimi policor
Edhe pse kanë qënë në dijeni të organizimit nga trafikantët të udhëtimit nga Vlora në drejtim të Italisë, polciia e Vlorës në atë kohë nuk ka vepruar. Regaimi ka ardhur vetëm pasi njerëzit në gomone kanë telefonuar në televizion. Megjithëse informacioni për daljen në lundrim të një mjeti ishte dhënë në orën 18:00 nga posta kufitare e Dhërmiut. Në raportin e Ibraj dërguar Alfred Moisiu tregohet se: “Gjatë orës 18:00 të datës 9 janar 2004 nëpërmjet radarit të Postës Kufitare Dhërmi, u kap një objekt që lëvizte në drejtim të Karaburunit, 3 milje në thellësi të detit.

Në këtë situatë u njoftua salla operative e Drejtorisë së Vlorës dhe u morrën masat për nxjerjen në det të mjeteve lundruese, me qëllim gjetjen dhe kapjen e gomones. Mjetet e sipërpërmendura mundën të shkonin deri në Mezokanal, por aty u detyruan të kthehen mbrapa për arsye se deti ishte shumë i keq 5 deri në 6 ballë. Në pamundësi për të çarë dallgët e detit, nga Pashalimani dhe Sazani kanë dalë motovedeta ushtarake, të cilat kanë vijuar operacionin e “kërkim-shpëtimit”-thuhet në raportin e Bajram Ibraj.

Përjashtimi
Pas një analize u bë përjashtimi nga policia i Bardh Rrokaj, babai i skafistit të arrestuar Artur Rrokaj, që ishte me detyrë shef i zyrës kundër terrorit në Shkodër.

Implikimi
U bë përjashtimi nga policia i Ilir Rrokaj me detyrë shef i zyrës së qarkullimit rrugor në Vlorë, i cili rezultoi se ishte i afërmi i Artur Rrokaj, dhe dyshohej si i implikuar.

16 persona
Deri në 29 janar 2004 policia ndaloi dhe morri në pyetje 16 persona të cilët mendohet të kenë pasur dijeni për ngjarjen. Ndërkohë që janë bërë 10 kontrolle banesash.
 
Raporti për gomonen dhe trafikantët
Në dokumentin e datës 29 janar 2004, tregohet se njëra nga dy gomenet kishte mbëritur rreth 3 ditë përpara kësaj ngjarje. Është arritur të dokumentohet pas tragjedisë së rëndë se pronarë të gomones ishin shtetasit Elton Tafilaj, Hysni Tafilaj, Altin Beluli dhe Viron Robaj nga Vlora, për të cilët në atë kohë është lëshuar menjëherë urdhëri për arrestimin e tyre. Ndërkohë që informacione janë siguruar edhe për sa i përket skafistëve që drejtonin mjetin lundrues, që në atë kohë ishin shtetasit Albert Alliu, Artur Rrokaj dhe Artan Ramadani, ku dy të parët janë arrestuar në flagrancë, pasi ishin mes personave të mbijetuar ndërsa i fundit u evidentua mes atyre që kishin vdekur. Po kështu janë identifikuar si organizatorë të këtij trafiku shtetasit Mirash Cukali, Nazmi Hyka dhe Jakup Hyka nga Shkodra, të cilët që në muajin janar 2004, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

faksimile
 
 
Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)