Një 40-vjeçar shqiptar, Viron Robaj, i shpallur si një nga përgjegjësit e tragjedisë së  9 janarit është arrestuar nga policia në Perugia. Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare ku e pret një dënim i Gjykatës së Vlorës me 25 vjet burg.

Ishte ora 18:00 e 9 janarit 2004 kur nga Shqipëria në Itali u nis një skaf me emigrantë, të cilët kishin paguar për kalim 1.500 € secilit. Pak orë pas skafi u mbyt në det të hapur në Gjirin e Karaburunit, duke vrarë 21 njerëz dhe 7 të humbur. 

Një tragjedi e parandalueshme, sipas hetimeve të kryera nga autoritetet shqiptare, nëse kontrabandistët do të kishin raportuar në kohë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mundësohej shpëtimi në kohë.

Pas gati 11 vitesh nga ajo tragjedi, Guardia di Finanza e Perugia­s tani ka identifikuar dhe arrestuar një nga autorët kryesorë të këtij trafiku kriminal, i dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Vlorës për trafikimin e qenieve njerëzore i shpallur në kërkim që nga viti 2005 me një urdhër arresti ndërkombëtar.

Tuttoggi.info shkruan se policia ra në gjurmët e të kërkuarit, i cili dyshohet të jetë ende aktiv në tregtinë ndërkombëtare të drogës, duke vëzhguar lëvizjet dhe mënyrën e jetesës së disa prej të afërmve të tij, banues në Perugia.

Ndjekja e tyre nisi mbrëmjen e 27 dhjetorit të shkuar, kur janë vërejtur lëvizje të çuditshme në një lokal të frenkuentuar nga shqiptarë. Gjatë kontrollit të një shqiptari, në dukje me dokumenta të rregullta, ishin shenjat e gishtërinjve që treguan se bëhej fjalë për shqiptarin Viron Robaj.

Policia italiane në bashkëpunim me Interpolin dhe policinë shqiptare identifikoi se Viron Robaj kishte përdorur identitetin e një personi me iniciale F.K, që kishte emigruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe që nuk dihej për fatin e tij.