TIRANE- Sokol Bizhga ish- Drejtori i Policisë Kriminale aktualisht zv/drejtori i Policisë së Shtetit, tregon në dëshminë e tij se krerët e policsë së asaj kohe e kishin marrë me mëndjelehtësi operacionin për kërkim-shpëtimin e gomones që ndodhej në det. Bizhga deklaron para prokurorëve Dorian Tafili dhe Edison Ademi, se ka qëndruar në moment ankthi e padurimi, kur ka parë njoftimin në “Top Channel” për transmetimin e një edicioni special. Menjëherë është lidhur me zyrën e informacionit të Policisë së Shtetit, duke i pohuar se nëse ishin në dijeni të një ngjarje në Vlorë, dhe se oficeri i rojës i ka thënë se ka një informacion ende të pakonfirmuar, se mund të jetë nisur një gomone me njerëz në drejtim të italisë dhe ka mbetur në det, por nuk dihet se ku ka mbetur.

Ky informacion Sokol Bizhgës, Drejtorit të Policisë Kriminale në atë kohë, nuk i ishte kaluar nga zyrtarët e policisë, ndërkohë që i ka pohuar oficerit të rojës se përse duhej ta merrnin me kaq mëndjelehtësi këtë problem. Sapo ka parë në “Top-Channel” edicionin special ku transmetohej pëjr një gomone që po mbytej, Bizhga është nisur urgjent në drejtim të Vlorës, ndërkohë është lidhur disa here me Drejtorin e Policisë Vlorë Josif Shtëmbari, i cili sipas Bizhgës ishte konfuz.Nga ana tjetër me radio nga zona e Kavajës ka lëshuar urdhërin për daljen në det të gjitha mjeteve lundruese që kishte policia e Vlorës në dispozicion.

Njoftimi u nënvlerësua
Në dëshminë e tij Sokol Bizhga tregon se sapo ka mbëritur në zyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë, është njohur me situatën e rëndë dhe se deri në ato momente ngjarja ishte e paqartë. “Një variat ishte se tre trafikantë kishin ngarkuar drogë në gomone dhe kishin mbetur në det të hapur, ndërsa një tjetër version ishte se persona trafikantë bënin lojë me policinë dhe shumë pak kishin vlerësuar informacionin e dhënë në televizor. I ndodhur në këtë situatë së bashku me shefin e rendit Ardi Veliu dhe komandantin e Delta-Forcës, jemi nisur për në Palasë.Kur dolëm në rrugën e asfaltuar, në një afërsi prej 300 metra larg detit kemi gjetur një makinë të braktisur dhe pranë saj, disa bidona vaji. Në makinë nuk kishte njerës, dhe unë urdhërova të thyej xhami dhe të verifikohej dokumentacioni, ndërkohë që vijuam kërkimet në breg të detit”-tregon Sokol Bizhga në prokurori.

Gjetja e gomones
Bizhga shton se gjatë patrullimit tonë munduam të jepnim shenja me projector dhe kemi lëshuar thirje me zë, por nuk dëgjuar asnjë përgjigje. Ndaj të gdhirë, rreth orës 06:30 vumë re se diku afër gjirit të Dafinës, në një largësi rreth 4 milje larg nga bregu, një gomone në të cilën e shikonim që kishte njerëz, por nuk shikonim lëvizje të tyre. Në këtë kohë unë morra në radio Sallën Operative të Vlorës dhe pas 30 minutash u afrua pranë kësaj gomoneje një tjetër mjet lundrues, e cila me sy të lirë dukej se mund të ishte e misionit Interforcë.Dhjetë minuta më vonë mbëriti dhe një helikopter. Gjatë kësaj kohe mësova se në gomone kishte njerëz të mbytur. Pas kësaj kam shkuar në Vlorë dhe pashë kufomat dhe të mbijetuarit dhe më pas bëmë dhe arrestimet e nevojshme.

faksimile

Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)