TIRANE - Është ekstraduar ditën e sotme nga Italia për në Shqipëri 41 vjeçari Viron Robaj, lindur e banues në Vlorë i dënuar nga Gjykata e Vlorës si një nga përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së 9 janarit ku gjetën vdekjen 21 persona.

Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Vlorë, më 24 Janar 2005, e ka dënuar me 25 vite burgim, për kryerjen e veprës penale të “Dhënie Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të Kufirit me pasojë vdekjen”.

Robaj u ekstradua ditën e sotme nga  nga Roma për në Tiranë duke iu dorëzuar kështu autoriteteve shqiptare. Ai u arrestuar mëngjesin e sotëm në Perugia të Italisë, ndërsa menjëherë u krye edhe ekstradimi i tij për në vendin tonë.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
“Viron Robaj në bashkëpunim me shtetasit N. H., Z.M. dhe persona të tjerë kanë organizuar trafik të paligjshëm të qënieve njerëzore duke u premtuar personave të ndryshëm kalim në Itali kundrejt shumës 1500 Euro për person. Konkretisht më datën 09.01.2004 një gomone me 36 persona në bord është nisur nga Vlora drejt Italisë pranë gadishullit te Karaburunit. Gomonja është përmbysur dhe si rrjedhojë 21 persona gjetën vdekjen”.thuhet në komunikatën e policisë

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)