Kantoni zviceran i Valais-it ka ndaluar pajisjet piroteknike në të gjitha ambientet publike të mbyllura, pas zjarrit shkatërrues në një bar në natën e Vitit të Ri, ku u vranë 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë.

Autoritetet thanë se secili nga të lënduarit do të përfitojë një dëmshpërblim emergjent prej 10,000 frangash (12,500 dollarë), ndërsa po krijohet edhe një fond për mbledhjen e donacioneve.

Kantoni i Gjenevës gjithashtu njoftoi një ndalim të mjeteve piroteknike në ambientet e mbyllura, vetëm disa ditë pasi Vaud u bë rajoni i parë nga 26 kantonet e Zvicrës që mori një vendim të tillë.

Zjarri në barin Le Constellation, resortin lujksoz të Crans-Montana, besohet se ka nisur kur fishekzjarrë të vegjël të vendosur në shishe shampanje i vunë flakën materialit izolues akustik prej shkume në tavan. Autoritetet kanë deklaruar se bari nuk i ishte nënshtruar kontrolleve të sigurisë prej pesë vitesh.

Dy bashkëpronarët e Le Constellation, çifti francez Jacques dhe Jessica Moretti, janë akuzuar për vrasje nga pakujdesia, plagosje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Jacques Moretti po mbahet në paraburgim për një periudhë fillestare prej 90 ditësh. Bashkëshortja e tij është detyruar të dorëzojë pasaportën dhe të paraqitet çdo ditë në polici. Lajmi se bari nuk ishte inspektuar për pesë vjet ka tronditur familjet e viktimave, shumica e të cilëve ishin të rinj, 8 prej tyre nën moshën 16 vjeç.

Shumë nga të plagosurit kanë djegie të rënda. 80 persona mbeten të shtruar në spitale në Zvicër dhe në vende të tjera evropiane.

Një nga avokatët që përfaqëson familjet e viktimave tha të martën se është hapur një platformë online për të mbledhur dëshmi që lidhen me tragjedinë. “Kjo nismë synon të lehtësojë hetimin në dobi të viktimave,” tha Romain Jordan, jo të zëvendësojë hetimin zyrtar.

Mes viktimave ishte edhe kamarierja që u pa në një video duke mbajtur një helmetë dhe një shishe shampanje me një fishekzjarr të vogël të vendosur sipër, ndërsa tavani merrte flakë. E identifikuar si Cyane Panine, 24 vjeçe, nga Sète në juglindje të Francës, thuhet se ajo ishte e afërt me menaxherët e barit.

Familja e saj ka publikuar një deklaratë ku thuhet: “Cilido qoftë përfundimi i hetimit, kjo vajzë e re ndoqi udhëzimet e punëdhënësve të saj. Ajo bëri atë që i kërkoi drejtori i përgjithshëm. Asgjë e pazakontë. Kjo punonjëse nuk mban asnjë përgjegjësi.”