TIRANE - Pesë vjet pas shpërthimit të qendrës së demontimit në Gërdec, qeveria vijon të paguajë dëmet e shkaktuara banorëve të zonave përreth.

Në mbledhjen e sotme është marrë vendimi që Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2013, t’i akordohet fondi shtesë prej 13.018.800 (trembëdhjetë milionë e tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind) lekësh, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008 në fshatin Gërdec.

Kjo shumë do të shkojë për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen brenda perimetrit 300 metrash rreth kraterit, e shpallur si zonë e sigurisë së lartë.

Këto qira e këto dëme po paguhen me vonesë nga qeveria, pasi u takojnë viteve 2011 dhe 2012.

Fondi do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)