Tjetër tragjedi në motoçiklizmin italian. Piloti 25-vjecar Andrea Antonelli ka ndërruar jetë në qendrën mjekësore pranë pistës së Moskës, pas aksidentit të rëndë që ndodhi në botërorin e Supersport. Reshjet e shumta të shiut dhe shpejtësia e madhe, rreth 250 km/h, kanë bërë që piloti nga Perugia të humbasë kontrollin e motorit Kawasaki dhe të rrëzohet në pistë, ndërkohë që sipër trupit të tij ka kaluar dhe piloti tjetër italian, Lorenzo Zanetti, me motorin e tij Honda.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, dëmtimet e mëdha në kokë kanë bërë që Antonelli të ndërrojë jetë. Gara është ndaluar menjëherë, ndërkohë që organizatorët kanë vendosur të shtyjnë për një datë tjetër edhe garën e dytë të Superbike. Pas këtij aksidenti tragjik ka reaguar Marco Melandri i cili ka fituar garën e parë të Superbike duke akuzuar: ”Pista nuk ishte e praktikueshme, që në xhirot e para nuk mund të shihje asgjë dhe gara duhej ndaluar”.


Një aksident pothuajse i ngjashëm i mori jetën 2 vjet më parë në Sepang, Marco Simoncelli-t, pilotit italian që garonte me Honda në Moto GP.

(v.gj/shqiptarja.com)