Autoritetet lokale në Zvicër deklaruan sot se kanë ndodhur “mangësi” në kryerjen e kontrolleve periodike të sigurisë në klubin e natës që u shkatërrua nga flakët natën e Vitit të Ri, tragjedi kjo që çoi në vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 119 personave të tjerë.

“Kontrollet periodike nuk janë kryer gjatë periudhës 2020–2025. Na vjen thellësisht keq për këtë,” tha  kryebashkiaku i Crans-Montanas, Nikolas Féraud, gjatë një konference për shtyp pa dhënë shpjegime konkrete për këtë “neglizhencë” në zbatimin e kontrolleve.

Féraud njoftoi gjithashtu ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike në hapësirat e mbyllura, pas zjarrit, i cili dyshohet se e ka origjinën nga fishekzjarrët e vendosur në shishet e shampanjës.

“Kjo javë ka qenë shumë e vështirë. Do ta kujtoj atë natë dhe trishtimin e të gjitha atyre familjeve përgjithmonë”, tha ai.

Nga 40 personat që vdiqën në zjarr - përfshirë 21 zviceranë, nëntë francezë, gjashtë italianë dhe nga një person nga Belgjika, Portugalia, Rumania dhe Turqia - u identifikuan të dielën e kaluar. Viktima më e re identifikuar është një vajzë zvicerane 14-vjeçare, ndërsa dy vajza të tjera 15-vjeçare janë gjithashtu mes të vdekurve.