“Jam fajtor në sytë e shumë njerëzve. Prokurori publik do të përcaktojë përgjegjësitë e secilit, përfshirë edhe të miat, dhe do t’i përballoj. Njerëzisht, dhe pa spekuluar mbi atë që do të thotë drejtësia, ndiej peshën e përgjegjësisë.”

Këto janë fjalët e kryetarit të bashkisë së Crans-Montana, Nicolas Féraud, në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për agjencinë Keystone-ATS. Kryebashkiaku shton më tej:

“Kam marrë disa kërcënime me vdekje. Përpiqem t’i kuptoj këta njerëz, të cilët nuk kanë përgjigjet që do të donin.”

Sa i përket kontrolleve të bashkisë, ai shprehet: “Nuk isha në dijeni dhe nuk arrij t’i shpjegoj mangësitë që kanë dalë nga analizat tona. Refuzoj të besoj se bëhet fjalë për një situatë sistematike në Crans-Montana.”

Hetimet

Për hetimet është shprehur edhe ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri, Antonio Tajani:

“Në mënyrën si kanë shkuar gjërat, hetimet kanë cenuar të drejtat e qytetarëve italianë, sepse arrestimi ka ndodhur me vonesë. Vetë ata kanë thënë se ekzistonte rreziku i arratisjes dhe, fatkeqësisht, kemi zbuluar edhe përsëritjen e veprës penale.”

Audio dhe video të reja

Ndërkohë kanë dalë në dritë audio dhe video të reja, të konsideruara të rëndësishme për rindërtimin e kushteve të Constellation, lokali ku shpërtheu zjarri që natën e Vitit të Ri shkaktoi vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e 116 të tjerëve. Materialet janë përfshirë në dosjen e hetimit të koordinuar nga prokuroria e Sionit.

Një nga elementët e rinj është një mesazh zanor i dërguar nga Jacques Moretti i liruar nga burgu falë një sipërmarrësi të pasur që pagoi kaucionin e tij – drejtuar bashkëpunëtorit të tij, Gaëtan, i angazhuar me shkumën fonoizoluese që po shkëputej nga tavani.

Në audio, Moretti kërkon të verifikohet qëndrueshmëria e shkumës:

“Po Gaétan, provo të heqësh njërën dhe shiko nëse bie, sepse kam përdorur një shkumë që nuk e njoh… Më bëj me dije nëse është në rregull. Më thuaj nëse bie apo jo; nëse bie, për fat të keq do të duhet t’i lëmë.”

Dy mesazhe zanore dhe vendimet operative

Një javë para Krishtlindjes, Moretti jep udhëzime përmes mesazheve video dhe audio bashkëpunëtorit të tij. Në dy mesazhe zanore, gjithashtu të përfshira në aktet hetimore, ai shprehet:

“Ok, atëherë do t’i vendosim përsëri.” Në të dytin shton: “Po, duket mjaft mirë, hiqi edhe të tjerat, të lutem.”

Sipas hetuesve, mesazhet i referohen të njëjtit material akustik që më pas do të ushqente zjarrin.

Panele të mbajtura me steka bilardoje

Përkeqësimi i materialit nga e cila nisi zjarri dokumentohet edhe nga dy video të mbledhura nga avokati Romain Jordan, i cili përfaqëson shumë familje të viktimave. Pamjet tregojnë bashkëpunëtorin e Morettit teksa përpiqet të fiksojë panelet në tavan duke përdorur në mënyrë të improvizuar steka bilardoje si mbështetje.

Ishte Jean-Michel, babai i Gaëtanit, i cili pasi pa pamjet në telefonin e të birit, e nxiti atë t’ua dorëzonte hetuesve:

“Kur i sheh këto, e kupton që nuk shqetësoheshin për sigurinë,” deklaroi ai për shtypin francez.

“Kur u kërkon kamerierëve të shkojnë të ri-ngjisin gjërat në tavan me katër copë ngjitësi… po flasim për një lokal publik, jo për bodrumin tënd.”

Testi artizanal mbi shkumën

Gjatë dëshmive, Moretti ka pranuar se e ka testuar personalisht shkumën fonoizoluese me flakë:

“E kisha parë që gjithsesi digjej. Mora një pishtar (për të krijuar flakë, shën. red.) për të parë efektin mbi shkumën: e përshkoi tërësisht. E vetmja gjë që më bezdisi ishte tymi që më bëri të ndihem keq,” u ka thënë hetuesve, duke minimizuar rrezikshmërinë e episodit.

Kontrollet

Sipërmarrësi ka kujtuar gjithashtu se në vitet 2018 dhe 2019 lokali ishte subjekt i kontrolleve të sigurisë nga Bashkia e Crans-Montana-s dhe nga zjarrfikësit, pa u ngritur vërejtje. Ky aspekt po rishqyrtohet tani nga autoritetet gjyqësore, në dritën e materialeve të reja audio dhe video të përfshira në hetim./La Repubblica