Vdekja e dy pacientëve brenda Spitalit Amerikan ka rikthyer edhe një herë herë tjetër vëmendjen e prokurorisë së Tiranës për të kryer hetime lidhur me mosplotësimin e kushteve të sigurisë dhe kushteve teknike për parandalimin e zjarreve.

Burime pranë prokurorisë së Tiranës i tha gazetës “Shqiptarja.com” se në Spitalin Amerikan nuk ishte përmbushur asnjë element sigurie përsa i përket shuarjes së zjarreve. Madje edhe vetë shërbimi i tyre për të administruar situata të tilla nuk ka funksionuar aspak. Kanë qenë forcat e zjarrfikëses ato që kanë bërë shuarjen e flakëve të përhapura në ambientet e brendshme të spitalit, ndërkohë që dhe shërbimi i sigurisë i këtij spitali ka qenë problematik.

Për të hedhur dritë mbi përgjegjësit e kësaj situate, prokuroria e Tiranës prej ditës së djeshme ka nisur hetimet. Ndërkohë, pas ngjarjes në ambientet e spitalit privat është parë dhe prokurori i Tiranës Petrit Fusha, i cili ka ndjekur nga afër veprimet e policisë, për të hetuar me imtësi këtë rast, ku gjetën vdekjen dy paciente dhe disa të tjerë janë plagosur lehtë.
 
Koncesioni 86 mln euro
Spitali Amerikan një vit më parë u shpall fitues nga ministria e Shëndetësisë i koncesionit 10-vjeçar për shërbimin e hemodializës në Tiranë dhe 5 rrethe të tjera të vendit. Spitali Amerikan përdori një kompani farmaceutike të quajtur “Evita” me adresë në një kafene në Berat, për të fituar këtë superkoncesion. Mirëpo, në një kohë kur po arkëton miliona lekë nga buxheti i shtetit, masat e sigurisë nuk kanë qenë ato, që kërkohet nga një institucion i tillë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com