Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar një paketë masash për t’iu përgjigjur pakënaqësive që kanë nxitur protestat e javëve të fundit në Francë, ndërsa ka pranuar se vendi rrezikon të përballet me trazira të reja në ditët në vijim.
Gjatë një vizite në Marsejë, ku inspektoi dëmet e shkaktuara nga protestat e mëparshme, Macron deklaroi se i ka kërkuar qeverisë të reagojë ndaj kërkesave të protestuesve.
“Kam kërkuar që qeveria t’u përgjigjet kërkesave legjitime që qëndrojnë në themel të kësaj lëvizjeje sociale”, u shpreh Macron.
Macron paralajmëroi ditën e sotme se e shtuna e ardhshme do të mbetet një “ditë me rrezik të lartë” mes protestave, me sindikatat që bëjnë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar më 31 tetor.
“E dimë që e shtuna e ardhshme është ende një ditë me rrezik të lartë. E dimë që 5 nëntori do të jetë një ditë mobilizimi kombëtar që përfshin të gjitha sindikatat, dhe ka edhe të shtuna të tjera përpara”, u tha Macron gazetarëve gjatë vizitës së tij në Marsejë.
Protestat, të cilat fillimisht u nxitën nga pakënaqësitë e studentëve, janë zgjeruar duke përfshirë sindikata dhe aktivistë të lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”, të cilët kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.
Autoritetet franceze kanë shtuar masat e sigurisë, duke angazhuar 70 mijë efektivë policie gjatë demonstratave të së shtunës. Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ka paralajmëruar se protestat e planifikuara për 31 tetor mund të shoqërohen sërish me incidente.
“Qartësisht, po”, u përgjigj ai kur u pyet nëse priste trazira të tjera. Nuñez shtoi se mbrëmja e Halloween-it është tradicionalisht e tensionuar dhe se autoritetet presin një situatë të ndërlikuar edhe këtë fundjavë.
Sipas ministrit, 1,435 persona u arrestuan në të gjithë vendin gjatë demonstratave të së shtunës. Ai bëri të ditur gjithashtu se në disa qytete janë evidentuar përplasje mes grupeve të organizuara të ekstremit të djathtë dhe aktivistëve të ekstremit të majtë.





Komente
Komento