ITALI - Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Porcari të Italisë, komunë e zonës Piana di Lucca. Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, katër anëtarë të një familje shqiptare me origjinë nga Peqini, babai, nëna dhe dy fëmijët, kanë humbur jetën për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e cila me shumë gjasa është shkaktuar nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në rrugën Galgani.

Ka shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike, një person i pestë: bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte mbërritur në vendngjarje pasi familjarët nuk po i përgjigjeshin telefonit. Viktimat janë katër persona me origjinë shqiptare: babai Arti Kola ishte 48 vjeç, nëna Jonida Kola 43 vjeçe, djali Hajdar 22 vjeç dhe vajza Xhesika 15 vjeçe. Edhe karabinierët, të cilët mbërritën në vend për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.

Tragjedia ndodhi rreth orëve të darkës: vëllai i kryefamiljarit dhe karabinerët, në momentin që hynë në shtëpi, gjetën tryezën të shtruar. Alarmin e dha pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët: sapo mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët trokitën disa herë, pa marrë asnjë përgjigje.

Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.

Xhaxhai i dy fëmijëve të mitur, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia përpara se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanello-s.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe keqardhje për një tragjedi që godet të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Lucca-s.

Karabinierët, në orët në vijim, do të analizojnë disa të dhëna të sakta. Së bashku me zjarrfikësit, ata do të duhet të kuptojnë nëse kaldaja ishte instaluar siç duhet dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve të parashikuara nga ligji.

Banesa ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth 3 vite më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq. Ndërkohë djali i tij, vetëm 22-vjeçar punonte si elektriçist.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:08
Sinonimi i një tragjedie, emri i djalit të familjes Kola i mbishkruar mbi derën e vulosur në Gryksh

 

Dera e drunjtë e shtëpisë në Gryksh të Peqinit së familjes prej 4 anëtarësh që humbi jetën tragjikisht në Itali për shkak të helmimit nga gazi, qëndron e mbyllur, siç ata e kanë lënë para se të largoheshin. Ngjyra e saj e zbehtë, e vjetëruar nga koha dhe vende-vende e dalë boje, thyhet vetëm nga një mbishkrim: “Dari Kola.”

Është emri i djalit të familjes Kola, Hajdarit 22-vjeçar, i cili punonte elektricist. Dari, duket se ashtu siç bëjnë shpesh fëmijët gjatë lojërave të tyre, ka shkruar emrin e vet mbi derën kryesore.

Një mbishkrim që tashmë përkon me një dhimbje të paimagjinueshme, një tragjedi që me kohën, do të kthehet në një kujtim të trishtë.

Hajdari ishte "një djalë shumë i ëmbël dhe punëtor i palodhur. Flisnim shpesh dhe ai nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveçse të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij", është shprehur kushëriri i tij, Durimi për Corriere della Sera.

I riu, i cili kishte studiuar hidraulik në një shkollë të mesme në Lucca, punonte për një kompani lokale. "Asnjëherë vonë, kurrë një justifikim. Një djalë punëtor nga një epokë tjetër", tha një koleg.

Banorët e fshatit e kanë përshkruar ngjarjen si “tragjedia më e madhe që na ka ndodhur”.

Banesa në zonën e Luccas në Itali, ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth 3 vite më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq.

Ora 15:51
Familja shqiptare u shua në Itali, i afërmi: E morëm vesh lajmin nga televizori, kanë qenë të mrekullueshëm

 

Report Tv ka shkuar në shtëpinë e familjes Kola në fshatin Gryksh të Peqinit. Dera e shtëpisë është gjetur e mbyllur ndërsa të afërmit e tyre ishin të tronditur për humbjen e thellë.

Kushëriri i Arti Kolës 48 vjeç, tregon se lajmin e trishtë e dëgjuan nga televizori ndërsa tregon se i vëllai i 48-vjeçarit, i kishte telefonuar dhe askush prej familjes nuk e hapte telefonin. Më pas ai kishte njoftuar karabinierët dhe kur kishin hyrë në shtëpi, i gjetën të vdekur.

“Kanë qenë familje e mrekullueshme. Zoti i prehtë të paqe. E morëm vesh nga televizori. I vëllai shkon i binte telefonin dhe nuk e hapnin. Ka shkuar me policinë dhe i kanë gjetur te vdekur. Akoma nuk na besohet. Tezes i kanë thënë vetëm për djalin, për 3 të tjerët nuk i kanë treguar. Tragjedia më e madhe që na ka ndodhur”, thanë ndër të tjera familjarët për Report Tv.

Ora 13:58
Taulant Balla mesazh për familjen shqiptare që humbi jetën në Itali: Lajm i trishtë, u prehshin në paqe

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka reaguar pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.

Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë. “Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.

Ora 13:17
Tragjedia e familjes shqiptare në Itali njëjtë me atë 34 viteve më parë! Katër anëtarët ndërruan jetë në të njëjtin qytet nga gazi

1770284176_69843058ce27d.jpeg

Foto e banesës së familjes Kola

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Italinë dhe Shqipërinë, ku në zonën e Luccas, katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën për shkak të rrjedhjes së gazit nga kaldaja.

Mediat italiane shkruajnë se kjo ngjarje është e njëjtë me atë të 34-viteve më parë. Më 28 shkurt 1992, katër persona, një familje e tërë, vdiqën si pasojë e si pasojë e monoksidit të karbonit të çliruar nga një defekt i kaldajës brenda banesës.

Viktimë mbetën Raffaello Malanca, një shofer bashkie 46-vjeç; gruaja e tij, Piera Calistri, shtëpiake 45-vjeça; dhe vajzat Ilaria dhe Greta, 17 dhe 14 vjeç.

Çfarë ndodhi

Trupat e tyre të pajetë u zbuluan nga i dashuri i vajzës së madhe. Teksa shkoi në shtëpi për drekë, ai nuk gjeti askënd që t'i hapte derën dhe njoftoi zjarrfikësit. Kur zjarrfikësit hynë brenda gjetën nënën dhe vajzat ende në shtretërit e tyre, ndërsa babai ishte shtrirë në dyshemenë e banjës.

Disa ditë para kësaj tragjedie, të gjithë ishin ankuar për të përziera dhe lodhje, Giuseppe Malanca (babai i 46-vjeçarit) , i cili ishte ndjerë keq dhe ishte shtruar në spital për një embolizëm pulmonar, duke i shpëtuar kështu tragjedisë.

Ora 13:05
Kush ishte familja shqiptare që u shua në Itali! Vajza e vogël shkruante poezi dhe ëndërronte të bëhej parukiere, djali punonte elektricist

“Njerëz të mirë, të ndershëm. Njerëz që punojnë, që ndihmojnë të tjerët.” Në Porcari, ku një kaldajë me defekt i mori jetën familjes shqiptare, të gjithë flasin kështu për familjen Kola. Një tragjedi që ka tronditur thellë qytetin.

Arti Kola, 48 vjeç, i lindur në Shqipëri, kishte mbërritur në Itali rreth dhjetë vite më parë nga Greqia. Më pas kishte marrë me vete bashkëshorten Jonida, 48 vjeçe, djalin Hajdar, 22 vjeç, dhe vajzën Xhesika, 15 vjeçe.

Ajo, më e vogla, shkruante poezi. Poezi që, shpjegon Gioia Giuliani, drejtoreshë e shkollës së mesme në Camigliano, “shoqet dhe shokët e klasës po i mbledhin. Xhesika, siç e thërrisnim ne, ishte një vajzë shumë e ëmbël, që po ndiqte rrugëtimin e saj shkollor me pasion dhe përkushtim”.

Shkruante, ashtu siç ndoshta bëjnë ende shumë adoleshente, dhe kishte një ëndërr të fshehur.

“Donte të bëhej parukiere, ashtu si një kushërirë e saj që jeton në Padova”, thotë tezja e saj Mira, e cila nuk arrin të ndalë lotët.

Hajdari ishte “një djalë jashtëzakonisht i mirë dhe një punëtor i madh. Flisnim shpesh dhe nuk kishte tjetër synim veçse të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij”, rrëfen kushëriri Durim, i cili mbërriti këtë mëngjes nga Modena sapo mori vesh për tragjedinë.

I riu, që kishte studiuar edhe hidraulikë në një institut të mesëm në Lucca, punonte si elektricist në një kompani të zonës. “Kurrë vonesë, kurrë justifikime. Një djalë i përpiktë, një punëtor i kohëve të tjera”, tregon një koleg i tij.

Arti punonte si piktor. “Kishin ardhur në lagjen Rughi, ku banonin, vetëm prej pak muajsh. Më parë jetonin në një zonë tjetër të Porcarit, shpjegon një fqinj. Shtëpinë e kishin blerë tre vite më parë dhe dalëngadalë po e restauronin: ishte pothuajse gati. Arti ishte një njeri i mirë, që kujdesej për të tjerët”.

Jonida ishte shtëpiake dhe ia kishte kushtuar jetën familjes. “Vinte të blinte bukë çdo ditë dhe ishte një person shumë i sjellshëm: kurrë një fjalë polemike, por gjithmonë një buzëqeshje për të gjithë”, e përshkruan pronarja e dyqanit që ndodhet pothuajse përballë shtëpisë së tragjedisë.

Një tragjedi që godet një komunitet që nuk ka harruar një precedent dramatik: 34 vite më parë, një tjetër familje prej katër personash u shua gjithashtu nga monoksidi i karbonit./Corriere della Sera

Ora 11:41
Itali/ Familja shqiptare ndërroi jetë nga helmimi i gazit, bashkëatdhetari: Kur hymë në banesë i gjetëm të shtrirë në tokë, i preka dhe kishin ende rrahje zemre

Ernest Çela, fqinji dhe njëkohësisht bashkëatdhtetar i familjes Kola që ndërruan jetë mbrëmjen e djeshme pasi u helmuan nga gazi në banesë ka thënë për mediat italiane se kur hyri në banesën e tyre së bashku me oficerët e policisë dhe vëllain e kryefamiljarit Artan Kola, i gjetën katër viktimat të shtrirë në tokë.

“Mbrëmjen rreth orës 21:30 erdhi patrulla e karabinierëve bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë katër trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre”, tregon Ernest Çela.

Më tej ai tregon se pak çaste më vonë vëllai i viktimës, humbi ndjenjat, teksa pohon se edhe ai vetë filloi që t'i merreshin mendtë.

“Pastaj, në një moment, xhaxhai i djalit - ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë - humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme.

Kështu që dolëm të gjithë menjëherë jashtë nga banesa. Pasi dolëm, e kuptuam që në ambient kishte monoksid karboni. Zjarrfikësit erdhën pas pak kohe, nuk di të them nëse pati vonesë apo jo. Në vendngjarje ishte edhe një ambulancë. Pasi dolëm jashtë, na dhanë ndihmën e parë”, thotë i riu.

Teksa u pyet se përse ndihma e shpejtë nuk u ngjit në banesë i riu tha se, nuk iu lejua të hynin.

“Kur hapën dritaren, doli edhe një tym i bardhë. Por deri në momentin që unë isha lart, ata kishin puls”, përfundon ai.

Ora 10:28
Tragjedia në Itali/ Kjo është familja shqiptare që ndërroi jetë nga helmimi i monoksidit të karbonit (FOTO)

Foto: Arti dhe Jonida Kola dhe dy fëmijët

Këta janë katër anëtarët e familjes shqiptare që ndërruan jetë si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit mbrëmjen e djeshme në Itali.

Foto e viktimave Arti Kola, 48 vjeç, Jonida Kola, 43 vjeçe, djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, më e vogla e familjes, 15 vjeçe u publikua nga mediat italiane.

Paraprakisht dyshohet se u shkaktua nga një defekt i kaldajës.

Ora 09:41
Itali/ Ndërruan jetë pasi u helmuan nga gazi në banesë, dalin Emrat e familjes shqiptare

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare me origjinë nga Peqini, të cilët humbën jetën tragjikisht si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë Arti Kola, Jonida Kola dhe dy fëmijët Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe.

“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.