TIRANE - Gianni De Biasi nuk e kapërdinë ende barazimin me Norvegjinë me rezultatin 1:1, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2014, që u zhvillua më 7 qershor në Tiranë. Kuqezinjtë ishin në avantazh deri në fund të takimit, falë golit të Valdet Ramës, por skuadra skandinave e mori një pikë falë golit të barazimit të realizuar në fund të takimit.

Trajneri italian e ‘qan’ ende këtë barazim, i cili ia zbehu paksa gjasat Shqipërisë për kualifikim në këtë eveniment të rëndësishëm, edhe pse kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të eliminatoreve.

“Barazimi i Shqipërisë me Norvegjinë ka lënë shumë pasoja dhe ‘dhimbje’, sepse e meritonim fitoren”, deklaroi ish trajneri i Udineses për radion italiane “Radio Goal”. Shqipëria gjendet në pozicionin e dytë të Grupit E të kualifikimeve për Botërorin 2014 me 10 pikë të grumbulluara, prej tyre 3 fitore, 1 barazim e 2 humbje.

Barazimi me Norvegjinë shtyri edhe firmosjen e kontratës për De Biasin, pasi presidenti Duka kishte menduar se nëse Shqipëria do të fitonte me nordikët do të firmoste zgjatjen e kontratës për italianin.

Por edhe pse ndeshja doli në barazim përsër Duka sipas informacioneve pranë FSHF do ti ofrojë një tjetër kontratë dy vjeçare italianit, pasi ka arritur rezultate shumë të mirë me kombëtaren në dy vite drejtim.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)