VARSHAVË - Polonia fitoi 2-1 kundër Shqipërisë të enjten, por polakët nuk e patën aq të lehtë për të siguruar finalen play-off të Kupës së Botës 2026 kundër Suedisë.
Shqipëria kaloi e para në epërsi me Arbër Hoxhën, por tanët u përmbysën nga golat e Lewandowskit dhe Zielinskit në pjesën e dytë. Shqipëria kishte mundësi të mira për të mbyllur ndeshjen me golin e dytë, teksa Nedim Bajrami gaboi shansin më të mirë të ndeshjes.
Pas sfidës, nga salla e konferencave foli edhe trajneri i Polonisë. Jan Urban pranoi se Polonia ishte me fat në disa raste, por theksoi me bindje se sfida nuk do mbyllej edhe nëse ekipi i Sylvinhos merrte avantazhin e dyfishtë.
“Në fillim, në 10-15 minutat e para, Shqipëria nuk mundi të dilte nga gjysmëfusha e vet. Mund ta shikoje të gjithën me qetësi, sepse dukej sikur ishte vetëm çështje kohe para se të shënonim. Në një farë mënyre, e shtymë ne kundërshtarin të fillonte të luante dhe ta mbante topin më shpesh. Me kalimin e minutave shqiptarët po rriteshin dhe fillonin të besonin në vetvete.
Pse kaq shumë gabime? Do të doja gjithashtu ta dija përgjigjen, sepse në të vërtetë ishin gabime të thjeshta, edhe kur pësuam golin. Do të flas me lojtarët për këtë, por dyshoj se ishte nga përgjegjësia e madhe e ndeshjes, ndoshta njëfarë stresi dhe fakti që në një moment gjërat nuk po shkonin sipas dëshirës sonë.
Kjo shpesh çon në lojë nervoze, vendime të këqija. Është thjesht futboll. Është e njëjta gjë si kur shënohet një gol, ekipi rifiton besimin dhe fillon të luajë, edhe pse disa mund të thonë se na kundërsulmuan një herë dhe patën një shans për ta bërë rezultatin 2-1. Ndoshta ishim shumë të etur për ta fituar ndeshjen dhe ndonjëherë sulmuam me shumë lojtarë, duke harruar se shqiptarët mund të kundërsulmojnë. Nuk kam dyshim se ishim shumë me fat në ato situata.
Rezultati mund të shkonte 0-2 për Shqipërinë? E dija që ishte një moment shumë i rëndësishëm, si për ta, ashtu edhe për ne, por kurrë nuk mendova se loja do të mbaronte edhe me disavantazhin e dy golave. Mendoj se po e përballonim mirë stresin. Dhoma e zhveshjes ishte e qetë gjatë pushimit. Këto nuk janë momente kur emocionet duhet të na mposhtin”, tha trajneri 63-vjeçar.
Më 31 mars Polonia luan finalen kundër Suedisë në Stockholm, me dy skuadrat që do diskutojnë biletën për në fazën finale të Kupës së Botës 2026.
Komente







