TIRANA - Ekipi i futbollit të Tiranës është përfshirë nga kaosi në përfundim të këtij edicioni me akuza dhe kundër akuza mes futbollistëve dhe drejtuesve. Akuzat kanë precipituar mes dy palëve deri në ekstrem duke sjellë edhe një deklaratë bombë të trajnerit Nevil Dede dje për mediat. 'Molla e sherrit' për konfliktin e hapur mes futbollistëve dhe drejtuesve janë bërë pagat e prapambetura.

Nevil Dede ka sulmuar futbollistët e ekipit 24 herë kampion të vendit se kanë trukuar ndeshjen Alesund – Tirana 5-0, e luajtur më 12 korrik të vitit të kaluar, në turin e dytë të Evropa Ligë . Dede nuk u mjaftua me akuzën, por deklaroi se do t’i kërkojë Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit si dhe Prokurorisë që ta hetojë këtë ndeshje. Edhe pse Dede nuk përmendi emra, shënjestër e tij janë disa nga veteranët bardheblu, të cilit kanë luajtur ndaj Alesund dhe që udhëhoqën protestën para Bashkisë për rrogat e prapambetura.

Ajo që çudit më shumë në vendosmërinë e Dedes për trukimin e ndeshjes është fakti që në momentin që është zhvilluar ndeshja, Dede ka qenë në drejtimin e ekipit të Gjirokastrës, duke lënë të kuptohet qartë që pas sulmit në prapavijë qëndrojë drejtuesit e ekipit duke iu bërë presion futbollistëve për të mbyllur gojën. Por futbollistët deklarojnë se e mirëpresin deklaratën e Dedes dhe kërkojnë që ndeshja të hetohet për të nxjerrë të vërtetën.

Ndërsa më pas trajneri ka deklaruar se kapiteni Ilion Lika nuk bën pjesë në planet e tij për Tiranën e së ardhmes. Në një deklaratë për 'Shqiptarja.com', kapiteni Ilion Lika shprehet i befasuar nga deklaratat e Dedes, por megjithatë kërkon që të hetohen të gjithë dhe të dalë e vërteta që nuk ka asnjë trukim. Ndërsa mbrojtësi Dushku shkon më tej duke akuzuar Deden se po përdhos fanellën e ekipit të Tiranës me akuza qesharake.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptasrja.com (print) 25.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)