Zv.presidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ripërsëriti të dielën shqetësimet mbi ndalimin dhe trajtimin e Ilir Metës në burg, si dhe akuzoi qeverinë Rama për përdorimin politik të sistemit të drejtësisë në vend.

Në një deklaratë për shtyp, Xhixho iu referua dy raporteve zyrtare të Avokatit të Popullit, të publikuara më herët në vitin 2025, që sipas saj kanë konstatuar “shkelje të rënda ligjore dhe kushtetuese”.

Sipas Xhixhos, procedurat e ndjekura gjatë ndalimit të Metës, përbëjnë “një trajtim degradues” sipas standardeve të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut.

“Raporti i parë, i publikuar në gusht, dokumenton përdorimin e forcës së papërligjur gjatë ndalimit të Metës, duke përfshirë angazhimin e forcave speciale pa shenja identifikuese dhe pa dokumentacion të rregullt procedurial. Raporti konstaton se Meta nuk është informuar për të drejtat e tij, nuk i është komunikuar vendimi gjyqësor dhe nuk i është garantuar kontakti me avokatin, duke e cilësuar procedurën si trajtim degradues sipas standardeve të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut.Raporti i dytë, i publikuar në nëntor 2025, sipas Partisë së Lirisë, konfirmon kufizime të tepruara ndaj Metës gjatë paraburgimit, përfshirë kufizimin e takimeve familjare, ndalimin e vizitave të deputetëve dhe përfaqësuesve europianë, si dhe pengimin e kontakteve me median dhe drejtuesit e partisë”, thuhet në reagimin e Xhixhos.

Sipas saj, në vlerësimin e Avokatit të Popullit, këto masa janë “praktika të një shteti represiv” dhe bien ndesh me Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Në emër të Partisë së Lirisë, Xhixho kërkoi “zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, fundin e izolimit politik të Metës dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përdorimin e drejtësisë si instrument politik.”

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë. Ai mbahet në burg prej 21 tetorit 2024.