TIRANE - Dy trasferime të dënuarish nga burgu i Fushë-Krujës në drejtim të atij të sigurisë së lartë në Peqin, mendohet se kanë qënë shkaku kryesor i vendosjes së tritolit në makinën e drejtorit të burgut Fushë-Krujë, Arben Suloj. Vendimi për transferimin e dy të dënuarve emrat e të cilëve nuk bëhet të ditur nga prokuroria është marrë nga Suloj, për arsye ende të paqarta. Të dy të dënuarit, janë akomoduar në burgun e Peqinit, në sektorin ku vuan dënimin për jetë Admir Tafilaj, dhe se gjatë kësaj kohe ata kanë krijuar njohje me të.

Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, ky moment dyshohet se ka shërbyer që të dy të dënuarit të porosisin tek Admir Tafilaj, vendosjen e tritolit në automjetin e Arben Sulos. Ndërkohë Tafilaj ka sinjalizuar “ushtarët” e tij jashtë burgut, të cilët kanë arritur të vendosin tritolin në makinë dhe më pas ta aktivizojnë atë, duke kryer shpërthimin e mjetit gjatë ecjes. Nga shpërthimi i fuqishëm, ku ka mbetur i plagosur rëndë  drejtori i burgut të Fushë-Krujës Arben Suloj, i cili pas disa ditësh qëndrimi i shtruar në spitalin Ushtarak, është transportuar për mjekim të mëtejshëm në Itali.