Sheshi në zonën e njohur si “Selvia” ka marrë një pamje tjetër me stola e gjelbërim, kurse busti i heroit kombëtar “Vojo Kushi”, dikur i rrethuar nga ndërtimet pa leje, ka dalë në pah.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky projekt, si shumë të tjerë në kryeqytet, nisi fillimisht me debate politike, por përfundoi me sukses dhe u mbështet nga të gjithë.
“Nga zemra buron vetëm mirënjohje për të gjithë ata që e kanë rrethuar me shumë dashuri këtë projekt. Një projekt që filloi me sherr, si shumica e gjërave të bukura në Shqipëri, me shamatë, me përplasje me politikanë që kishin bingo, baste, dyqane, që ia kishin hipur sipër Vojo Kushit, si Vojo Kushi tankut. Tani të gjitha duken të kaluara, strese që i përkasin të shkuarës, sidomos kur një punë del mirë dhe ka duk”, është shprehur kryebashkiaku Veliaj.
Sipas tij kjo zonë është një nga njësitë më të bekuara të Tiranës, me Pazarin e Ri, shkolla “Servete Maçi”, që kufizohet me Bulevardin Zogu 1, ku po bëhet një transformim i madh për ta kthyer në një rrugë shopping-u dhe në Bulevardin e Ri, që shumë shpejt do të përqendrohet zona financë-teknologji e Tiranës.
“Kjo është pjesë e planit të Bashkisë për të rregulluar disa hapësira të vogla. Po punojmë edhe te Medreseja, te Kafe Flora. Kush lëviz nëpër Tiranë ka parë që gjithë këto hapësira po transformohen dhe gjenerojnë energji pozitive në komunitet”, theksoi Veliaj.
Veç rehabilitimit të lulishtes tek “Selvia” dhe çlirimit të bustit të heroit kombëtar, Vojo Kushi, në prag të 75-vjetorit të çlirimit të vendit, ka nisur edhe fushata e mbjelljeve të pemëve, ku veliaj i fton të gjithë qytetarët që të kontribuajnë për vendin e tyre.
Deputeti i PS, Ervin Bushati vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për t’ia kthyer komunitetit hapësirat e zaptuara padrejtësisht.
“Fëmijët e populluan direkt sheshin, kjo tregon se sa e suksesshme ishte kjo lëvizje e bashkisë, të cilën e falenderoj shumë për vullnetin e madh dhe durimin. Kemi qenë këtu para një viti, kemi mbjellë selvi, dhe kemi biseduar atëherë që kjo zonë vetëm si selvi nuk duket, sepse ishte totalisht e pushtuar nga mjedise private. Janë disa zona që po i kthehen publikut dhe shpresoj që ashtu si Bashkia po ia kthen hapësirat publike, ashtu edhe njerëzit t’i popullojnë ato”, theksoi Bushati.
Në këto katër vite Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të posaçme krijimit të mikrohapësirave mes lagjeve, por edhe ruajtjes së monumenteve të figurave të rëndësishme që kanë kontribuar për atdheun.
Shesh me dhjete metra vend,,,,legen kryebashkiak.....
PërgjigjuMe mire dhjete metra vend hapesire, apo ashtu sic ishte, asnje centimeter hapesire?! Si thua ti Turi?