Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar lidhur me moslejimin e kamerave për të transmetuar proceset gjyqësore në Shqipëri.
Duke bërë një krahasim me rastin e gjyqit të Lindsay Clancy, nënës amerikane që akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj, gjyq i cili po transmetohet live në SHBA, pavarësisht çështjeve shumë sensitive që trajtohen aty, kamerat janë të lejuara. Ndërkohë, në Shqipëri, pavarësisht interesit të lartë për gjyqet me interes publik, ndodh e kundërta.
Ndreca thotë se ky është treguesi më i qartë se sa shumë rrugë ka ende për të bërë drejtësia shqiptare në respekt të parimit kushtetues të publicitetit të seancës gjyqësore.
Ky reagim vjen në një moment kur GJKKO ka miratuar rregulloren e re për seancat, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe censuron mediat. Sipas saj, gazetarët duhet të plotësojnë formularë për të ndjekur një seancë, nuk mund ta ushtrojnë lirisht profesionin në sallë dhe s’mund të përdorin as celularin për të raportuar në kohë reale në redaksitë përkatëse.
Për rregulloren kanë reaguar një sërë organizatash e gazetarë që kërkojnë pezullimin e saj duke argumentuar se cenon seriozisht punën e gazetarit dhe lirinë e medias. Rregullorja po shqyrtohet gjithashtu edhe nga OSBE.
Reagimi:
Ky është gjyqi i Lindsay Clancy, nënës amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj. Mbrojtja e saj në gjyq mbështetet te problemet e rënda të shëndetit mendor pas lindjes. Në gjyq diskutohen publikisht diagnoza psikiatrike, medikamente, mendime vetëvrasëse dhe detaje thellësisht private të jetës së saj. Gjykohet vrasja e tre fëmijëve.
E megjithatë, gjyqi është publik. Kamerat janë në sallë. Dëshmitë transmetohen. Privatësia nuk ekziston në një seancë shtetërore gjykimi.
Ndërkohë, në Shqipëri, në procese me interes të jashtëzakonshëm publik, dyert mbyllen dhe kamerat largohen në emër të privatësisë.
Dy realitete. Dy standarde të publicitetit të drejtësisë.
Atje kërkohet të mbrohet privatësia pa mbyllur drejtësinë. Këtu, për të mbrojtur privatësinë mbyllim drejtësinë.
Ky është ndoshta treguesi më i qartë se sa shumë rrugë kemi ende për të bërë në respekt të parimit kushtetues të publicitetit të seancës gjyqësore.









Komente
Komento