Puna në terren për një gazetar është e vështirë, ndërsa për ata që raportojnë nga lufta është edhe më e rrezikshme, ku çdo moment mund të kthehet në kërcënim për jetën. Kjo u pa qartë në një transmetim live nga jugu i Libanit, ku një raketë shpërtheu vetëm pak metra larg një gazetari, teksa ai po raportonte nga zona e sulmeve.

Gazetari Steven Sweeney dhe kameramani Ali Reda Sbeiti po realizonin një reportazh pranë qytetit Tiro, kur shpërthimi ndodhi papritur shumë pranë tyre, duke ndërprerë lidhjen live. Të dy mbetën të plagosur lehtë nga copëzat dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa momenti i shpërthimit është bërë viral. Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa në zonë ndodheshin edhe ekipe të tjera mediatike që po raportonin për sulmet në infrastrukturë.