TIRANE - Inspektorati i Punës do të kontrollojë të gjitha linjat e autobusëve që detyrojnë invalidët të paguajnë biletën dhe në ato linja që do ta vërehet kjo  anomali, kompanitë do të rrezikojnë licencën.

Urdhri i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është bërë sot me dije nga vetë Ministri Erion Veliaj lidhur me vendimin e marrë nga  Shoqëritë e Transportit Publik të cilët kanë vendosur që duke nisur nga ky të mos i njohin librezat e invalidëve.
 
Lidhur më këtë problematike, Ministri Veliaj deklaroi se Bashkia po shkel një të drejtë kushtetuese, të cilën ligji ua njeh invalidëve si të drejtë për të udhëtuar falas.

“Ajo që po bën Bashkia, duke zbritur invalidët nga autobusi, është çnjerëzore dhe e paligjshme”, tha Veliaj duke theksuar se çdo licencë e dhënë për autobusët është firmosur nga kompanitë duke pranuar faktin se kjo licencë jepet me njohjen e ligjit që invalidët të udhëtojnë falas.

Ministri sqaroi se operatorët dhe Bashkia kanë bërë qartazi një marrëveshje që duke i bërë presion qeverisë me zbritjen e invalidëve nga autobusi, të kenë mundësi të fitojnë më shumë para.

Ndërkohë edhe Shoqata e Invalidëve ka reaguar ndaj vendimit të marrë nga  Shoqëritë e Transportit Publik.

“Me keqardhje dua të pohoj se në bazë të verifikimeve tona në terren, aktualisht vetëm Tirana dhe Shkodra nuk e zbatojnë ligjin për transportin e shtresave në nevojë falas. Me këtë rast iu bëj apel të gjitha njësive të qeverisjes vendore, të cilët janë përgjegjësit kryesor për zbatimin e ligjit për shtresat në nevojë, duke ditur se të gjithë operatorët që kryejnë transportin publik lidhin kontratë me njësitë e qeverisjes vendore. Ju bëj apel të gjithe atyre individëve të zgjedhur apo jo, që kryejnë funksione publike, të mos i politizojnë të drejtat tona dhe aq më keq të mos tallen me gjendjen tonë shëndetësore duke na ofenduar, duke na diskriminuar psikologjikisht e fizikisht. I bëjmë apel Qeverisë të mbrojë të drejtat tona ligjitime dhe të marrë masa ndaj cilit do shkelës të ligjeve në fuqi”, theksohet në deklaratën e Shoqatës së Invalidëve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)