Një 26-vjeçar nga Elbasani ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, gjatë një operacioni për goditjen e rasteve të shitjes së drogës në afërsi të perimetrit të shkollave.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se gjatë kontrollit fizik, të riut iu sekuestrua një sasi kokaine, e ndarë në dhjetëra doza, dhe një thikë.

Dyshohet se 26-vjeçari do ta shiste lëndën narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, në afërsi të shkollave.

Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i tentativës për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Arrestohet në flagrancë një 26-vjeçar nga Elbasani.

Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, dhe një armë e ftohtë (thikë).

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.