“Mjetet e transportit për shërbimin e rregullt dhe të rastit të transportit të institucioneve arsimore parashkollore, profesionale parauniversitare dhe universitare duhet, në çdo kohë, të jenë të pajisura me certifikatën e kontrollit teknik të mjeteve rrugore, të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Mjetet e transportit për shërbimin e rregullt dhe të rastit të transportit të institucioneve arsimore parashkollore, profesionale parauniversitare dhe universitare duhet të jenë të pajisura me aktvlerësimin në plotësim të kushteve për komoditetin e autobusëve në transportin e udhëtarëve brenda vendit. Automjetet që bëjnë transportin e nxënësve të arsimit parashkollor, profesional parauniversitar dhe të studentëve duhet të kenë të shkruar dukshëm, në mënyrë të rregullt, brenda xhamit të përparmë, me ngjyrë të zezë, fjalët “TRANSPORT SHKOLLOR”.
Në pjesën e pasme dhe anash vendoset logoja me shenjën e fëmijëve të shkollës. Përdorimi i autoveturave me 8+1 vende për transportin e nxënësve të arsimit parashkollor, profesional parauniversitar bëhet vetëm me miratimin e bashkisë.
Drejtuesi i mjetit të certifikuar për transport të rregullt të specializuar ose për llogari të vet, për nxënësit e arsimit parashkollor, profesional parauniversitar dhe studentët duhet: a) të ketë kryer/përfunduar të paktën arsimin e mesëm; b) të jetë pajisur me leje drejtimi të kategorisë D1, D1E, D dhe DE pas vitit 2010; c) të jetë pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale përkatëse (CAP); ç) të ketë reputacion dhe sjellje të mirë. Drejtuesi i mjetit duhet të informojë me shkrim autoritetin që ka lëshuar licencën ose certifikatën për llogari të vet për çdo dënim që ka marrë.
Drejtuesi i mjetit vazhdimisht duhet të ketë me vete: a) listën me numrat e telefonit të prindërve; b) adresën e shtëpisë së secilit parashkollor, parauniversitar dhe student; c) numrat e telefonit të emergjencave civile (Policia e Shtetit, urgjenca mjekësore dhe shërbimi zjarrfikës etj.)”,- janë disa nga rregullat e reja.
d.c./shqiptarja.com











