TIRANE - Një ditë pas mungesës së qarkullimit urban që solli kaos për një ditë në kryeqytet është rikthyer gjendja normale, ndonëse nuk u bë asgjë që punonjësit e shërbimit urban të marrin pagat e prapambetura që variojnë deri në 4 muaj.

Madje, ky problem nuk mori zgjidhje as në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit Bashkiak, i cili shtyu me një javë vendimin për caktimin e çmimit. Lidhur me këtë, Federata e Punonjësve të Transportit Urban, thotë që ky institucion po mban peng caktimin e çmimit real të biletës që të mund të negociohet më pas me shoqëritë e transportit urban.

Nëse edhe pas një jave Bashkia nuk cakton çmimin e biletës, Federata e Punonjësve të shërbimit urban kanë paralajmëruar se do të kërkojnë zhvendosjen e kësaj komptence nga Bashkia tek qeveria.

Ndërkaq, duke njohur vështirësitë e këtij sektori, Bashkia e Tiranës i ka faturuar qeverisë përgjegjësinë për shërbimin e transportit publik duke i kërkuar heqjen e akcizës së naftës, subvencionimin për disa kategori përfituese nga ky shërbim dhe uljen e TVSH-së për shërbimin e transportit urban. 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)