Trajneri i kombëtares së Irlandës, Xhovani Trapatoni është shprehur tejet i zhgënjyer pas humbjes së thellë kundër Spanjës, me shifrat 0:4. “E dinim se luanim kundër një rivali shumë të fortë. Fatkeqësisht, në të dy pjesët pësuam gola pas vetëm tre minutash dhe kjo padyshim që na detyroi të ndryshonim të gjitha planet dhe të sulmoni me të gjitha forcat, duke lënë hapësira të mëdha në mbrojtje. Natyrisht që një skuadër si Spanja i shfrytëzojë këto hapësira, duke na ndëshkuar edhe dy herë”, ka thënë Trapatoni.

“Jam i zhgënjyer, por më duhet të them se djelmoshat bën krejt çka mundën. I përsëritëm gabimet e ndeshjes së parë me Kroacinë, prandaj në të ardhmen duhet të punojmë në këtë drejtim”, ka shtuar strategu italian.

Pas kësaj humbje irlandezët janë eliminuar nga gara, kurse ndeshjen e fundit kundër Italisë do ta luajnë vetëm sa për formalitet. Për kombëtaren e vendit të tij fitorja në këtë takim do të jetë e domosdoshme, por Trapatoni premton lojë të ndershme.

“Mendoj vetëm për Irlandën dhe për atë se sa janë të zhgënjyer futbollistët e mi dhe populli irlandez. Ata na kanë mbështetur dhe duartrokitur edhe atëherë kur kemi humbur. Do t’u them lojtarëve të mendojnë për këtë. Detyra jonë është që ndeshjen kundër Italisë ta mbyllim krenar. Nëse Italia dëshiron të kualifikohet në çerekfinale, duhet të djersitet shumë”, ka përfunduar Trapatoni. (rb/shqiptarja.com)