Trashëgimia pa mbrojtje, shkaku
i neglizhencës institucionale

Trashëgimia pa mbrojtje, shkaku<br />i neglizhencës institucionale
PRISHTINE- Monumentet kulturore në Kosovë ende nuk gëzojnë një mbrojtje të përhershme shtetërore. Ministria e Kulturës, Kuvendi i Kosovës e Këshilli i Kosovës për Mbrojtje të Trashëgimisë nuk po mund të merren vesh. Këshilli ka vite që po funksionon vetëm me pjesën e administratës. E derisa ky këshill është pa bord, në ligjin për trashëgimi kulturore thuhet se i njëjti përcakton mbrojtjen e përhershme të trashëgimisë.

Në Ministrinë e Kulturës thonë se mungesa e listës për mbrojtje të përhershme të trashëgimisë kulturore vije si pasojë e mos funksionimit të këshillit. Sipas tyre, MKRS-ja nuk ka çfarë të bëjë në këtë çështje përveç ofrimit të mbrojtjes së përkohshme.

Jehona Shyti, zëdhënëse për informim në Ministrinë e Kulturës, thotë për KosovaPress se çdo herë duke u bazuar në ligjin për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, listën për mbrojtjen e përkohshme të monumenteve të trashëgimisë kulturore e miraton Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa listën për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore duhet ta miratojë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

“Fatkeqësisht akoma sot e kësaj dite nuk kemi një listë për mbrojtjen e përhersh me të aseteve të trashëgimisë kulturore për faktin se kjo është një kompetencë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, i cili është një këshill jo funksional dhe realisht, mungesa e kësaj liste është si rezultat i mosfunksionimit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, siç dihet Ministria e Kulturës nuk ka kompetenca mbi këtë këshill sepse është një organ të cilin e themelon dhe e mbikëqyrë Kuvendi i Kosovës”, thotë Shyti.

Ajo thotë se me miratimin e projektligjit të ri të trashëgimisë kulturore, do të krijohen kushtet që Kuvendi i Kosovës të emërojë një këshill të ri të trashëgimisë kulturore. E sipas saj, kështu do të krijohen kushtet për listën e mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë kulturore.

Përkundër kësaj, në KKTK nuk pranojnë të thuhet se aty është një këshill që nuk funksionon. Ata i kanë thënë KosovaPress-it se e kanë një raport që shpalosin punën dhe funksionalizimin e këshillit, andaj sipas tyre, çdo gjë është e qartë aty.

Në raport thuhet: “Sipas përkufizimeve ligjore, vendosja(shpallja)e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme(të shtetit) dhe vlerësimi i projekteve janë përgjegjësi e KKTK-së. Ndërkaq, përmbushja e këtyre detyrave realizohet me punë interaktive ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, KKTK-së dhe MKRS-së me institucionet vartëse të saj. Mungesa e paraqitjes së propozimeve nga MKRS-ja, pamundëson pranimin, shqyrtimin dhe vendosjen(shpalljen) e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme(të shtetit) apo vlerësimin e projekteve nga KKTK, sipas kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Sipas raportit, pronat e trashëgimisë kulturore vazhdojnë të mbeten pa status të caktuar si pasojë e mungesës së paraqitjes së propozimeve dhe projekteve për vlerësim.

E derisa pohojnë se në këtë këshill funksionon vetëm pjesa teknike, Kuvendi i Kosovës ndanë një buxhet për këtë këshill, që siç thonë krerët e komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk e dinë se ku shpenzohet ai buxhet.

Ramë Vataj, kryetar i këtij komisioni, ka thënë për "Kosova Press", se megjithë faktin se ata përgatisin një raport drejtë Kuvendit të Kosovës, Kuvendi nuk e merr parasysh një raport të tillë që nuk vije nga njerëzit kompetent që duhet raportuar rreth punës që bënë ai këshill.

“Nuk janë kompetent dhe nuk pranohet një raport i punës vjetore i një organi që nuk ka funksionuar fare, ka funksionuar administrata për me marrë rroga ose me kry punë teknike, por jo atë që e obligon ligji me kry në bazë të emërimit që duhet të jetë këshilli prej kuvendit, prej njerëzve që janë të emëruar prej kuvendit......Vija buxhetore ekziston, Qeveria i ndanë të hollat që normalisht kalon nëpër Kuvend por ne nuk e dimë me çfarë qëllimi, apo vetëm për stafin i cili funksionon për punë teknike apo si këshilli që është përgjegjës dhe ka një farë mënyre kompetenca në stazat që ia obligon ligji dhe që do të merret edhe për këtë që ju e aktualizoni, punën e gjendjes së monumenteve kulturore në Republikën e Kosovës. Derisa nuk ka këshill me marrë vendime, me i destinu normalisht që nuk shkojnë në destinaionin e caktuar për qëllimin për të cilin ndahen ato mjete”, thotë Vataj.

Vataj mendon se zgjidhja duhet të jetë në Ministri,që ata të vendosin a të dërgojnë emra që do t’i emërojë pastaj Kuvendi i Kosovës, ose siç thotë ai, të themelojnë një agjension në kuadër të Qeverisë, i cili do të kujdeset për këto çështje.

E ka edhe të tillë që mendojnë se çdo gjë do të ishte zgjidhur rreth mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë kulturore, nëse institucionet nuk do të neglizhonin punët e tyre.

Lirije Kajtazi, anëtare e komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, nga radhët e LDK-së, thotë për KosovaPress, se çështja e mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë, vjen edhe si pasojë e konfliktit të vet këshillit për trashëgimi.

“Vonon pa arsye ligji për trashëgimi kulturore i cili është paralajmëruar që do të bëhet amendamentimi për të korrigjuar shumëçka që është parë që nga aspekti funksional nuk ka ecur dhe çështjet të cilat edhe u përmendën këtu, futjen në mbrojtje të përhershme të pasurisë së trashëgimisë kulturore është edhe nga mungesa, nga konfliktet e vet këshillit për trashëgimi kulturore dhe Ministrisë së Kulturës, e cila mendojmë se me atë amandamentimin e ri të ligjit do të definohet puna e secili edhe në këtë mënyrë do të ecet më tutje. Realisht ne nuk jemi pa ligj, është ligji aktual i cili do të kishte mundësuar që punët të kryhen, por është mungesë edhe neglizhecë e institucioneve të cilat nuk i kanë kryer punët e veta”, thotë Kajtazi.

Edhe në Institutin për Trashëgimi Kulturore, vlerësojnë se si pasojë e mos funksionimit të këshillit për mbrojtje të trashëgimisë, monumentet kanë mbetur peng, duke mos pasur mundësi të iu ndahet mbrojtja e përhershme. Kështu thotë drejtoresha e këtij instituti, Burbuqe Deva.

“Këto monumente nuk kanë mbrojtje të përhershme për arsye së në bazë të ligjit për trashëgimi kulturore përcaktohen shumë qartë autoret të cilat duhet të merren me mbrojtjen e këtyre monumenteve. Bie fjala në nenin 4 të këtij ligji ku janë masat mbrojtëse të monumenteve parashihet që Këshill i i Kosovës për trashëgimi kulturore të jetë autoriteti i cili bënë vlerësimin e pronave të trashëgimisë kulturore, po ashtu edhe përgatit vendime të cilat në fund nënshkruhen nga ministri i kulturës rinisë dhe sportit për monumentet të cilat do të kenë mbrojtje të përhershme, mirëpo siç dihet ose është fol edhe përpara në media Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është një organ i cili nuk është i kompletuar”, thotë Deva.

Duket se gjendja e monumenteve kulturo-historike në Kosovë do të mbetet kështu derisa nuk përcaktohet qartë institucioni kryesor e përkatës për të mbrojtur atë trashëgimi. E deri atëherë karshi monumenteve të ndryshme kulturore do të vazhdojnë ndërtime me lartësi të padefinuara e që shumë herë mund edhe të mbulojnë fare pamjen e monumentit.

Ndërkaq, shumica e shteteve tanimë kanë në mbrojtje trashëgiminë kulturore.

Marrë nga "Kosova Press"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike