Trashëgimia që la arkitekti Gherardo Bosio: Mbi 400 vizatime, Hotel Dajti e Pallati i Brigadave si kryevepra që edhe arredoi! Çfarë mbeti në letër pa u zbatuar

Në Universitetin Politeknik mbahet një ekspozitë fotografike me projektet e Gherardo Bosios si dhe diskutohet për kontributin e tij. Arkitekti Armand Vokshi tregon planet e tij rregulluese, projektet që gjetën zbatim si dhe Pallatin e Brigadave si kryeveprën që edhe e arredoi vetë.

Urbanist, arkitekt e arredues, Gherardo Bosio do të vinte në Shqipëri në 7 prill të ’39-ës, me pushtimin e vendit nga Italia. Ndonëse, fashizmi në vend vijon deri në ’43-shin, Bosio pas vdekjes në moshën 38-vjeçare, do t’i linte vendit e veçmas Tiranës një trashëgimi të jashtëzakonshme në stilin e tij racionalist. Një pjesë e projekteve të tij që përfshijnë kryeqytetin, zënë vend këtë të hënë në faqet e mureve të Universitetit Politeknik pjesë e Korpusit që ai projektoi, me një titull të diskutueshëm, “Imazhi i Tiranës Italiane”. Ekspozita shoqërohet edhe me një konferencë shkencore në kuadër të Javëve Italiane.

 “Ata sapo erdhën në Tiranë që në fillimet e para pas pushtimit,  merren me planin rirregullues të qytetit të atëhershëm. Dhe është një plan i jashtëzakonshëm, që shikon të ardhmen e një qyteti modern e funksional të jashtëzakonshëm. Normalisht kundrejt disa linjës të kohës, të doktrinës fashiste, por përgjithësisht kishin një impiant urbanistik të jashtëzakonshëm në raport me çfarë po ndodhte rreth e përqark nëpër botë”, thotë arkitekti Armand Vokshi.

Planet rregulluese përfshijnë qytetet kryesore të vendit, ndërkohë mes projekteve që ai ideon në Tiranë, pas sëmundjes e ndarjes së tij nga jeta disa çohen më tej nga bashkëpunëtorët.

“Ndërkohë që përveç Tiranës organizohen planet rregulluese të Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Beratit, Shkodrës deri diku dhe Korçës, por Korça më pak, se kemi dhe pushtimin nga grekët në atë periudhë. Këto në nivele urbanistike.

Më pas, direkt sa hartohet plani i detajuar urbanistik fillojnë bëhen plane urbane të detajuara më të vogla. Një nga këto është i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” së bashku me dy sheshet e mëdha . Pra sheshin  “Nënë Tereza” dhe sheshin “Skënderbe” ... Sheshi Skënderbej nuk ndërtohet ,por ndërtohet pjesa tjetër sheshi “Nënë Tereza” çfarë ne njohim sot si  Akademia e Arteve, Universiteti Politeknik, Koloniadat , Stadiumi, Kryeministrinë, Hotel Dajtin dhe Pallatin e Brigadave të gjitha janë të prodhuara nga dora dhe mendja e këtij arkitekti të zbatuara deri në dejat më të imta”, thotë Vokshi.

Ndërsa projekte të tjera të Bosios, pas përfundimit të Luftës e ardhjes së komunistëve në pushtet, nuk mundën të gjenin zbatim.

“E gjithë pjesa e sheshit “Skënderbej” pati një transformim të rëndësishëm, pjesa e ish-Pazarit, pjesa e të gjithë elementëve kryesorë në shesh që nuk u ndërtuan”, shton arkitekti.

Aspekti i tij si arredator në projektet vendase, haset veçmas në atë që arkitektët Ulisse Tramonti dhe Armand Vokshi e konsiderojnë si kryeveprën e tij në Shqipëri, Pallatin e Brigadave.

“Përveç urbanist dhe arkitekt dhe një arredues shumë i zoti , i gjithë Pallati i Brigadave është mendja e tij, pra objekti më ekselenet i interierit në Shqipëri që vazhdon të jetë ,të dominojë, dhe shteti shqiptar e ka si objektin kryesor të aktiviteteve shtetërore”, thotë Vokshi.

Emërtimi si i këtyre projekteve brenda dhe jashtë vendit si godina fashiste, në Shëipëri shpesh për të legjitimuar ndërhyrjet në to, sipas Vokshit është jo i drejtë.

“Duket sikur kjo ka një nocion negativ, por në fakt nuk është aq negativ, sepse u ndërtuan kryevepra në atë periudhë, edhe pse  një periudhë totalitare, një periudhë shumë e vështirë” tregon arkitekti.

Diskutimi mbi cenimin e tyre në kohëra të tilla, kur transformimi i Tiranës është i vrullshëm, mbetet i hapur.

“Në fakt në rrezik janë të gjitha! Është një luftë me çfarë do mbajmë dhe çfarë do të transformojmë në të ardhmen. Të gjitha këto ndërtesa kanë ndryshuar funksionet, disa prej tyre kanë ndryshuar dhe format, janë prekur disa linja, por në linja të përgjithshme ato qëndrojnë dhe zënë dhe pozicionin më dominant në Tiranë. Por ne e ndiejmë se si këto projekte janë pjesë e përditshmërisë dhe imagjino një Tiranë pa to  çfarë do të ishte! Nuk di çfarë emri ti vendos...”, thotë Vokshi.

Siç thekson arkitekti italian Tramonti gjatë konferencës, Bosio bëri mbi 400 vizatime, vetëm për projektet e tij në Shqipëri.

S.C/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona