Trazira në veri, plagosen
3 serbë e 2 ushtarë të KFOR

Trazira në veri, plagosen <br />3 serbë e 2 ushtarë të KFOR
MITROVICE, ZVECAN - Në veri të Kosovës është tensionuar situata, kur KFOR-i ndërmori një aksion për heqjen e barrikadave ne fshatin Rudar te Zveçanit. Dy ushtarë të KFOR dhe tre qytetarë serbë mbetën të plagosur. Ministri i Brendshëm Rexhepi deklaron se turma e serbëve ka shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, të cilët u kundërpërgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës e plumba gome.

ORA 22:00 -  KFOR, NA QELLUAN ME SNAJPER
Uve Novicki zedhenes i KFOR-it tha se ushtarët e KFOR janë qëlluar me snajper dhe janë jashtë rrezikut për jetë.


ORA 20:00 - ZYRTARET E BEOGRADIT BEJNE THIRRJE PER QETESI NE VERI

Duke reaguar ndaj incidentit të sotëm në veri të Kosovës, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë në mbledhjen urgjente nën drejtimin e presidentit të ri, Tomisllav Nikoliç, i ka bërë thirrje UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it që në kuadër të mandatit të vet të evitojnë çdo përpjekje të institucioneve “të përkohshme” në Prishtinë të orientuar në shkaktimin e destabilitetit , kurse qytetarët që të përmbahen nga përleshjet me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Nikoliç u ka bërë thirrje misioneve ndërkombëtare që të përmbahen nga dhuna ndaj serbëve të pambrojtur në Kosovë dhe të evitojnë të gjitha përpjekjet e institucioneve në Prishtinë për ta frikësuar popullatën serbe, dhe cek se në Kosovës të gjitha problemet duhet të zgjidhen me dialog dhe pa
dhunë.
Ndërsa, Partia Liberal Demokratike (LDP) e Çedomir Jovanoviçit në kumtesë bën thirrje për ndryshimin e politikës ndaj Kosovës me vërejtjen se nuk ka më kohë për kalkulime, deklarata ose kumtesa jo të matura. Ai që do të bëhet lider politik në Serbi, para se gjithash presidenti i Serbisë, është i detyruar të paktën tash, pas çdo gjëje dhe me vonesë të madhe, t’i kuptoj dhe kumtojë qartë të vërtetat për të cilat kemi folur ne qysh verën e kaluar, kur koncepti i bllokadave dhe i përplasjeve të serbëve me bashkësinë ndërkombëtare kohë të gjatë është mbështetur nga Beogradi, thekson në kumtesë kryetari i liberalëve serb.


ORA 18:07- UNMIK: VETEPERMBAJTJE, PRESIM SQARIMIN E NGJARJES
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është i “shqetësuar me raportimet për numrin e të lënduarve në radhët e civilëve dhe ushtarëve të KFOR-it”, me rastin e aksionit të sotëm të paqeruajtësve ndërkombëtarë, për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë të Zveçanit. “Ne do të presim qartësime shtesë mbi ngjarjet e sotme, jemi në kontakt me të gjitha palët, në përpjekje për të qetësuar situatën dhe po vëzhgojmë zhvillimet nga afër”, citohet të ketë thënë në një komunikatë për shtyp Leonid Markarian nga UNMIK-u.“KFOR-i ka një mandat për të përmbushur dhe duhet t’i mundësohet liria e lëvizjes. UNMIK-u fton për vetëpërmbajtje dhe qetësi dhe trimëron vazhdimësinë e dialogut”, thuhet në reagimin e këtij misioni.

ORA 17:20 - REAGON QEVERIA E KOSOVES
Qeveria vlerëson lartë angazhimin e forcave të KFOR-it për heqjen e barrikadave në fshatin Rudar, për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës. Largimi i barrikadave dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për qytetarët, thuhet në komunikatë. Njëherit, qeveria iu bën ftesë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit që të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe t’i ndihmojnë ata në përmbushjen e mandatit të tyre për të krijuar një mjedis të sigurtë për të gjithë.


ORA 17:10, KRYETARET ILEGAL TE KOMUNAVE NE VERI, VENDIM PER NDALIMIN E QARKULLIMIT TE KFOR
Kryetaret e komunave ilegale ne veri kane mbajtur nje mbledhje urgjente, nga e cila sapo ka dalur vendimi per ndalimin e KFOR dhe EULEX ne veri. Ata poashtu kane bere thirrje qe qytetaret serb, mbi moshen 17 vjecare, te mobilizohen dhe te dalin ne rruge per te protestuar. Deri tani KFOR ka arritur ti largoje dy barrikada te reja, pasi qe serbet e veriut kishin vene ato posa KFOR ka larguar ato te vjetrat. 



ORA 17:01 KRYETARI I ZVEÇANIT: NUK I KONTROLLOJME DOT NJEREZIT

Kreu i komunës së Zveçanit Dragisha Miloviç tha se serbët e veriut te Kosovës duan të takohen me presidentin Nikoliç dhe se duhet thënë e vërteta.

“Është koha që njerëzve t’u thuhet e vërteta, që presidenti serb Tomislav Nikoliç të na presë dhe t’u thuhet njerëzve e vërteta, çfarë është negociuar në Bruksel, që njerezit të mbahen në geto, të rrethuar me tela me gjemba, në izolim?”, theksoi Miloviç.

“Ne nuk mund t’i mbajmë të gjithë njerëzit nën kontroll. Ka gjithmonë nga ata që nuk pranojnë çdo gjë, ndaj kemi frikë se mund të ndodhin incidente të reja”.

Miloviç tha se i kishte kërkuar KFOR që të negociohej “edhe për ditë të tëra po të ishte nevoja”, se asnjë barrikadë nuk ka vlerë sa një jetë njeriu dhe se besimi I qytetarëve nuk duhej thyer me anë të këtij operacioni.


ORA 17:00 - KFOR, SITUATA NEN KONTROLL, BOGDANOVIÇ: KFOR TE MOS PERDOR DHUNE
Situata tani raportohet të jetë kritike, por nën kontroll, thonë autoritetet e KFOR-it. 
Ka reaguar edhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, i ka bërë thirrje KFOR-it të distancohet nga përdorimi i dhunës dhe të injorojë provokimet. Duke komentuar incidentet në Rudare, Bogdanoviç ka thënë se të gjitha palët duhet të largohen nga dhuna.
“Është shumë me rëndësi të reduktohen tensionet sa më shpejt të jetë e mundur, situate të normalizohet nëpërmjet dialogut e jo me forcë”, citohet Bogdanoviç nga B92.

ORA 16:20 - KESHILLI I SIGURISE NE SERBI: SIGURIA E SERBEVE NE KOSOVE, E KERCENUAR
“Siguria e qytetarëve në Kosovë është seriozisht e kërcënuar”- Kjo ka qene deklarata e këshillit të Serbisë për Mbrojtjen Kombëtare, i cili u mblodh në nje seance te jashtzakonshme. Ky Këshill ka ftuar misionet ndërkombëtare, UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in, që në kuadër të mandateve që kanë, të parandalojnë veprimet e “autoriteteve të përkohshme në Prishtinë, për të nxitur jostabilitet dhe frikë te komuniteti serb dhe të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër qytetarëve të pambrojtur”, thuhet në deklaratën e këtij Këshilli. Mbledhja e Këshillit eshte kryesuar nga presidenti serb, Tomisllav Nikolic.

ORA 16:05 - JAHJAGA: NGJARJA E PAPRANUESHME, TE SHUHEN STRUKTURAT PARALELE
Presidetja e Kosovës, Atifete Jaghaja ka dënuar dhunën mbi forcat paqeruajtëse të NATO-s nga një grup i qytetarëve të komunitetit serb, mëgjesin e sotëm në rrugën Mitrovicë – Leposavic. Jahjaga i ka cilësuar të papranueshme përpjekjet e strukturave ilegale serbe për të penguar me dhunë heqjen e barrikadave nga rrugët dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin për mediat Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon vendosjen e gjendjes normale në këtë pjesë të vendit dhe shuarjen e strukturave ilegale e kriminale të cilat po pengojnë dhe mbajnë peng popullatën e kësaj pjese dhe po i shfrytëzojnë problemet reale të qytetarëve për qëllime të veta, duke i ftuar të gjithë qytetarët për veprime brenda institucioneve. 
 
Edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e ka dënuar këtë akt duke thënë se çdo sulm mbi pjesëtarët e KFOR-it , është sulm mbi demokracinë, mbi lirinë dhe perspektiven e qytetarëve të Kosovës , poashtu u bëhet thirrje qytetarëve për qetësi e vetëpërmbajtje Edhe partitë politike i kanë dënuar incidentet e dhunshme në veri.




ORA 15:58- DY USHTARE TE PLAGOSUR, NJERI RENDE
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë të ditur për Kosovapress, se gjatë përpjekjeve të KFOR-it për heqjen e barrikadave, janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it, nga të cilët njëri më rëndë, dhe tre protestues serbë. Ai gjithashtu ka konfirmuar arrestimin e disa protestuesve serbë të cilët janë transferuar rajonin jugor. Plagosjen e ushtarëve të KFOR-it e ka konfirmuar edhe vetë KFOR-i përmes një komunikate për media, ku ka bërë të ditur se dy ushtarë të kësaj force janë plagosur gjatë operacionit të heqjes së bllokadës në Rudar.

USHTARET E KFOR PENGOHEN NGA SERBET
Edhe pse situata është normalizuar, nga burime tona nga terreni, KFOR-i  është nisur në drejtim të Rudares për të larguar barrikadat tjera. Ushtarët e KFOR-it po pengohen nga rreth 3 mijë serbë të cilët po gjuajnë gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it. KFOR-i dhe EULEX kanë arrestuar tre persona të cilët janë përleshur me KFOR-in. Të arrestuarit janë Dejan Vukashinoviç(serb), Halil Kajtazi(rom) dhe Sergjan Filipoviç(serb) nga Rudari.Ky aksion po udhëhiqet nga ushtarët amerikanë të KFOR-it, atij gjermanë e austriakë dhe portugezë.

REXHEPI: GJATË PËRLESHJEVE NË VERI DISA TË PLAGOSUR
Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi ka kofirmuar plagosjen e disa personave gjatë përleshjeve të sotme në veri të Kosovës. Sipas numrit një të rendit në Kosovë turma e serbëve ka shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, kurse ky i fundit ka përdorur gazin plumbat e gomës dhe topat e ujit për shpërndarjen e tyre. Rexhepi ka pranuar se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që ka bërë të ditur se KFOR-i ka larguar dy barrikada. Sipas tij, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it janë në gjendje gatishmërie në rast nevoje.

PLAGOSEN TRE SERBE, NJER USHTAR I KFOR
Në veri të Kosovës, në orët e mengjesit ishte tensionuar situata, kur KFOR-i ndërmori një aksion për heqjen e barrikadave ne fshatin Rudar te Zveçanit. 
Deri tani njoftohet per nje ushtar te plagosur të KFOR dhe tre serbë. Sipas burimeve të shqiptarja.com ushtari është nga KFOR amerikan dhe i njejti merret vesh se eshtë evakuauar nga vendi i ngjarjes kanë konfirmuar burime brenda KFOR-it. 
“Ushtari i plagosur tashmë është evakuuar dhe gjendja e tij është stabile. KFOR-i e dënon këtë akt të dhunës. KFOR-i gjithmonë udhëheqjet nga parimi i përdorimit të forcës minimale në operacione. Sidoqoftë. KFOR-i do të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse është e nevojshme. KFOR-i nuk do të lejoj eskalimin e situatës”, ka thënë për mediat në Kosovë, Uwe Novicki, zëdhënës i KFOR-it.
Ndërkohë, njoftohet se trupat paqeruajtëse të KFOR-it, kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve të mbledhur pranë barrikadës në Rudare. Janë të bllokuara të gjitha rrugët që të drejtojnë nga Zveçani për në fshatin Rudare dhe te barrikada e çimentuar në vendin e quajtur “Dudin kërsh” raporton B92. Ushtarët amerikanë të KFOR nuk lejojnë kalimin as për automjete por as për këmbësorë.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza