Në Romë kohë e mugët, re dhe shi që vinte dhe ikte. Qe dita kur kryeministri shqiptar duhej të niste vizitën e tij në Itali. Në ambasadë Diplomati i Parë, duke mbajtur edhenën dritën e fortë të abazhurit shumëfaqeshit e gazetave italiane të asaj dite, vijoi në ekranin e kompjuterit hartimin e raportit ditor:
Përmasat e ngjarjes:
"Corriere della Sera"- "Në flakë selia e qeverisë", "Shqipëria kthehet në kaos një vit më pas nga kryengritja që shkaktoi dy mijë të vdekur. Ish-presidenti i thotë kryeministrit Nano: "Dorëhiqu!"
"La Stampa" - "Njerëzit e Berishës sulmojnë pallatin e qeverisë", "Ish-kryetari i Shteti kërcënon: "Nano duhet të ikë brenda 24 orëve ose do të jetë më keq për të".
"La Repubblica" - "Tiranë, vrasja politike djeg pallatin e qeverisë".
"Il Giornale" - "Berisha i rrethuar mes bashkëpunëtorëve të tij del në ballkon: "Ne nuk jemi terroristë, por në rast se Nano nuk dorëhiqet nuk dimë se çfarë do të ndodhë". Një britmë nga turma "Vriteni, vriteni, vriteni Nanon!" &n &nbs
"L'Unità" - "Tirana, flasin kallashnikovët".
Efekti ndërkombëtar i ngjarjes:
"La Stampa" - "Rebelim në Tiranë, kthehet ankthi i luftës civile".
"Il Giornale" - "Shqipëri, rrezik i luftës civile".
"Corriere della Sera" - "Shqipëria në zgrip të luftës civile".
Si përshkruhen protagonistët e konfliktit?
Si reagojnë italianët?
"Il Giornale" - "Alarm në Romë, mbledhje me Prodin".
"Corriere della Sera" - "Prodi thërret një mbledhje urgjente", "Thirrje që nga Roma: "Kujtohuni se pa paqe nuk do të ketë ndihma".
Në artikull thuhet hollësisht se për shkak të krizës shqiptare kryeministri italian Romano Prodi ka lënë festën e "Unità" në Bolonjë dhe ka anuluar të gjitha angazhimet e tjera.
Më pas në artikull thuhej se kryeministri italian pati shumë biseda telefonike me presidentin shqiptar Rexhep Meidani, me kryeministrin Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Sali Berisha.
Si mendojnë analistët?
"Corriere della Sera" - "Në Tiranë qarkullojnë zëra të ndryshme, njeri prej të cilëve thotë se kjo vrasje hyn në një plan për dobësimin e mbështetjeve kryesore për guerriljen kosovare"...
Pasoja e menjëhershme e ngjarjes:
"Corriere della Sera" - "Pikërisht sot pritej në Romë kryeministri shqiptar Fatos Nano. Do të takonte politikanë dhe sipërmarrës, në kërkim të mundësive të reja ekonomike për rindërtimin e vendit të vet. Por udhëtimi duket se nuk do të bëhet".
Orë pas ore në Tiranë, në sulmin drejt Kryeministrisë
Në Sheshin Skënderbeu nisi ceremonia e varrimit të deputetit Azem Hajdari dhe e truprojës së tij. Kohë e keqe, shi. Pjesëmarrja e madhe.
Mes të tjerash Sali Berisha tha: "Vrasësit e Azem Hajdarit njihen botërisht... Por këta vrasës kanë edhe një emër konkret, kanë emrin e përbashkët, emrin e zi Fatos Nano”.
Në orën 10.00 Zyra e Shtypit e Kryeministrit njoftoi se të armatosurit që do ta destabilizonin rendin, do të goditeshin. Një gjysmë ore më vonë protestuesit vunë në krye arkivolin me trupin e Azem Hajdarit dhe familjarët e tij. Rreth pesëdhjetë metra më tutje, mbajtur në krahë, ishte edhe arkivoli i truprojës së vrarë. Në fund të ceremonisë mortore të gjithë pjesëmarrësit qenë ftuar të drejtoheshin për në varrezat e Sharrës, por kreu i saj mori rrugën drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit". U bë e qartë se turma po shkonte drejt Kryeministrisë.
Ndërkaq, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u kthye në zyrën e tij.
Këto çaste nëndrejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare hapi ngadalë sytë dhe u përpoq të mësohej ngadalë me grindosjen e germave në ekranin e kompjuterit. Kur ato u bënë të qarta i ra një tasti dhe e lëvizi vërshimin e tyre drejt informacioneve të tjera. Në atë zhvendosje masive të lajmeve atij nuk i ra në sy njëri prej tyre. Shënonte orën 10.20. Titulli i tij ishte "Aksident liderit të PD-së". Në të me fare pak fjalë thuhej "Berisha ka humbur jetën në një aksident automobilistik".
Në orën 11.01 teleteksti i RAI-t shënoi titullin "Shqipëria, kryeministri shtyn vizitën në Itali". Në tekst: "Është shtyrë nisja për në Itali e kryeministrit shqiptar Fatos Nano, e cila duhej të niste sot me një vizitë zyrtare. Burimi vjen nga Ministria e Jashtme Shqiptare.
Ndërkohë rritet në Tiranë tensioni, sepse do të bëhet funerali i Azem Hajdarit, deputetit të Partisë Demokratike të ish-presidentit Berisha, si edhe i truprojës së tij".
Këshilltari Masoni telefonoi më 11.07. Diplomati i Dytë, i cili nuk e dinte çfarë kishte përcjellë ato çaste teleteksti i RAI-t dhe nuk dinte asgjë çfarë pati deklaruar organi epror i tyre në Tiranë, Ministria e Punëve të Jashtme, u bë gati t'i thoshte se vizita e kryeministrit do të bëhej patjetër.
Por nëpunësi i lartë i Konfindustrisë nuk i la kohë. Tha menjëherë se sapo e kishte lexuar lajmin dhe se i vinte keq që vizita e Fatos Nanos nuk do të realizohej. Sidoqoftë ditë më të mira vijnë, shtoi ai, mund ta riplanifikojmë edhe në muajt e tjerë ardhës.
Diplomati i Dytë nxitoi menjëherë në zyrën e të Ngarkuarit me Punë. Edhe ky nuk dinte asgjë çfarë lajmi kishte dalë nga Ministria e tyre.
Ndërkaq në Tiranë, në orën 11.30, në afërsi të urës së madhe të Lanës afër qendrës së kryeqytetit, kortezhi mortor u ndal. Një person me kostum doli në krye të turmës dhe u kërkoi njerëzve të mos ecnin më. Njeriu me kostum tha se duhej qetësi dhe protestë para ndërtesës së kryeministrisë.
Pas kësaj turma u vu sërish në lëvizje.
Përpara ndërtesës së qeverisë kreu i kortezhit me arkivolin e Azem Hajdarit hipi në trotuar dhe më pas ngjiti shkallët e kryeministrisë. Ishte ora 11.45 kur nga turma dolën disa persona dhe bënë thirrje për të ruajtur qetësinë. Vetë motra e Hajdarit kërkoi të mos prekej dera e kryeministrisë. Pastaj papritur u dëgjuan disa krisma, të cilat fillimisht nuk u mor vesh nga vinin.
Shembja e derës së madhe të ndërtesës së kryeministrisë u bë sinjali i fillimit të kaosit.
Shkëmbimi i zjarrit dhe kryqëzimi i plumbave përndezi ajrin përreth. Qëllohej nga dritaret e kryeministrisë së braktisur si edhe prej disa personave nga turma. Njerëzit në kortezh u shpërndanë ku të mundnin duke bërë çmos t'i shpëtonin kafshimit të plumbave. Këto çaste u dëgjuan edhe zëra, që u bënin thirrje njerëzve të ndaleshin dhe të mos largoheshin.
Tanket dolën nga Garda Kombëtare në orën 12.05, duke ecur njëri pas tjetrit. I kishte nxjerrë një urdhër verbal i ministrit të Brendshëm, i nisur me fjalët "Jam 600, kushdo qofsh ti tek tanket, Shteti duhet të mbrohet me çdo kusht, urdhëroj të nxjerrësh tanket!" Nga oficeri i drejtimit urdhri me gojë shkoi me të shpejtë tek komandanti i batalionit që kishte në varësi kompaninë e tankeve. Ky refuzoi dhe kërkoi që urdhri nga lart t'i vinte me shkrim. "Çfarë urdhri me shkrim pret, në kryeministri po bëhet nami!"- i sokëlliti komandanti i Gardës. "Zbato urdhrin!"- e lëshoi zërin edhe shefi i shtabit të Gardës.
Pas kësaj, duke menduar që tanket mund të bënin edhe punën e tërheqjes së të plagosurve, komandanti i batalionit urdhëroi daljen e tyre njëshkolonë dhe të pashkëputur nga njeri-tjetri.
Kështu ata kaluan sheshin para Universitetit dhe kur kaluan para Presidencës dhe po i aviteshin Kryeministrisë, grupe të armatosura nga turma kërcyen mbi ta dhe në pak minuta dy tanke ranë në duart e tyre. Pastaj mbi to hipën edhe grumbuj manifestuesish civilë. Në këtë moment dikush klithi fjalët "Nano ka dhënë dorëheqjen". Turma e ekzaltuar nisi brohorimat "Fituam, fituam".
Tanket e tjerë morën urdhrin të asgjësonin menjëherë blindet e rëna në duart e protestuesve dhe pastaj të ktheheshin menjëherë në Gardë. Këta bënë vetëm këtë veprim të fundit.
Ndërkaq në 12.10 protestuesit, të cilët tashmë qenë shndërruar në kryengritës, sulmuan rezidencën kryeministrore, vilën 30. Ajo u mësy nga bulevardi me armë zjarri dhe granata, si edhe nga një pallat nëntëkatësh i papërfunduar që ndodhej aty afër. Nga luftimet e zgjatura u plagosën dy ushtarë të Gardës së Republikës dhe një shofer i vilës, por grupi i armatosur nuk e mori dot objektin.
Lajmi tinëzar për vdekjen e Sali Berishës në një aksident automobilistik
Në zyrën e nëndrejtorit të ATSH-së klithi telefoni. Zëri në receptor ishte bërtitës. Vinte prej një sekretari politik të Partisë Demokratike: “Keni shpërndarë një lajm sipas të cilit zoti Sali Berisha ka pësuar një aksident automobilistik dhe ka vdekur”. “Nuk ka mundësi”, belbëzoi nëndrejtori. “Lajmi ka marrë rrugët e botës, ka që prej orës 10.20”.
Nëndrejtori rrufeshëm kërkoi në online se ku ishte strukur lajmi i tmerrshëm, i cili mund t'i trazonte ngjarjet në Shqipëri edhe më shumë se vetë vrasja e Azem Hajdarit. E gjeti. Ishte në rrjetin e ATSH-së: "Aksident i liderit të PDSH-së", "Berisha ka humbur jetën në një aksident automobilistik...". E nënshkruante një gazetare e departamentit ekonomik të Agjencisë.
Përgënjeshtrimin e formuloi brenda tre minutave.
Në orën 12.30 në shëtitoren kryesore të Tiranës masa kryesore e manifestuesve u ndal përpara ndërtesës së presidencës. Këtu ata u mjaftuan me ndalesën e arkivolit vetëm për disa çaste. Një çerek ore më vonë protestuesit, të prirë nga një tank të rrëmbyer prej Gardës, fillimisht iu sulën godinës së Radio-Tiranës, pastaj ndërtesës së Televizionit. Policët, tek i panë njerëzit të vërshonin drejt tyre, u hoqën krehrat pistoletave dhe automatikëve, duke i futur nëpër xhepa. Kishin urdhër të mos qëllonin.
Kur shkoi ora 13.00 një person civil me kravatë doli në ekranin e TVSH-së dhe deklaroi se ky institucion dhe disa të tjerë qenë në duart e tyre. Në këtë kohë mbërriti lajmi se Sali Berisha dëshironte t'i bëhej një intervistë. Nuk do të vinte ai në studio, por duhej të nxitonte për në zyrën e ish-presidentit një grup xhirimi.
Nëndrejtori i ATSH-së edhe pse përgënjeshtrimi për gjoja aksidentin automobilistik dhe vdekjen e ish-presidentit ishte i bërë i njohur dhe për pasojë, edhe i ishte shkatërruar efekti diversiv, ende nuk ndihej i qetë. Ora e shpërndarjes së tij rastësonte me grumbullimin e turmës së revoltuar të mbështetësve të Partisë Demokratike para selisë së saj.
Nëndrejtori i ATSH-së vendosi të kërkonte se prej ku qe nisur ai lajm dhe si ishte manipuluar depërtimi i tij deri në rrjetin e agjencisë së tyre. Hapi një faqe të bardhë në kompjuter dhe nisi të shkruajë adresën e atij që do ta ndihmonte për të zbuluar pikën ku ishte kryer pirateria.
Goditi me forcë tastet dhe formoi fjalën "ALBANEËS". Pastaj në këtë adresë shtoi: "Është krejt e qartë se lajmi ka hyrë nga një dorë jashtë ATSH-së, në rrugën e përshkuar deri në shërbimin tuaj ALBANEËS... Nuk besojmë se është e pamundur të gjendet dora që ka futur në këtë rrjet këtë lajm të pavërtetë dhe të mbrapsht. Ndoshta edhe ju mund të jepni kontributin tuaj në këtë drejtim".
Përgjigja i erdhi shumë shpejt. Qe nga Sofja, formuluar në një kompjuter të një universiteti.
Ora 12. 47, komunikatë shtypi e Ministrisë së Jashtme Italiane
"Kryeministri Romano Prodi e përsëriti ftesën ngulmuese për t'i dhënë fund çdo lloj forme të dhunës, nga cilado palë që mund të vijë. Komuniteti ndërkombëtar do të jetë i papërkulshëm në gjykimin e qëndrimit të cilitdo që do të ketë lejuar apo inkurajuar përdorimin e dhunës..."
E motra e Fatos Nanos dhe e bija e Sali Berishës
Kishte ngurruar të merrte në telefon të Ngarkuarin me Punë dhe tani ankthin e saj e kishte lëshuar tek Diplomati i Parë. Fjalët e saj herë i përngjanin kujës dhe ishin mjaft të kuptueshme, herë dukej sikur visheshin me ngashërime të gjata dhe nuk qenë aspak të qarta. Qante sepse që prej dy orësh nuk kishte më lajme nga familja e saj dhe i vëllai. Nuk lidhej dot në telefon, sepse nuk i përgjigjeshin më. As i ati afro tetëdhjetëvjeçar, as Fatos Nano, as kunata, as motra tjetër.
"Mos dini ju se ku gjenden, se unë po shkalloj", ngashëreu.
Diplomati i Parë nisi t'i flasë, duke u treguar i sigurt se familja e kryeministrit thjesht duhej të qe zhvendosur për në vende më të sigurta, se asnjë rrezik jete nuk mund t'i kanosej, se turbullirat deri ato çaste zhvilloheshin vetëm në qendër të Tiranës dhe nuk qenë përhapur në qytetet të tjera, se me rebeluesit nuk kishte solidaritet as të bashkësisë ndërkombëtare, as të institucioneve shqiptare, as të ushtrisë dhe të policisë.
E motra e Fatos Nanos ngashëreu gjatë dhe vazhdoi t'i përsëriste merakun për jetën e babait plak, të vëllait, të kunatës së saj të mirë, të motrës së dashur... Megjithatë tashmë dukej më e vetëpërmbajtur. Diplomati i Parë e përfytyronte ato çaste në apartamentin e saj të ngushtë në një lagje në jug të Romës, të rrëzuar në shtrat dhe me fytyrë të ënjtur nga lotët, tek në njërën dorë mbante dorezën e telefonit dhe në tjetrën shtrëngonte një fëmijë-kukull, i cili çdo mbrëmje i zinte njërin skaj të jastëkut.
Pas dhjetë minutash e motra e kryeministrit u ndje më e qetë dhe e mbylli telefonin. Kurse atij vetëtimthi iu kujtua një ngjarje e përafërt, e ndodhur një vit më parë, të cilën ja kishte treguar Poeti.
Bëhej fjalë për ardhjen e dytë në Romë, në mes të marsit 1997, të vajzës së Sali Berishës. Edhe kësaj radhe do të vinte bashkë me fëmijën, por jo për ta kuruar. Vinte për ta shpëtuar. Në Shqipëri kishte shpërthyer trazira politike. Vajza e ish-presidentit u vendos tek i afërmi i familjes së tyre, me punë kryekonsull në ambasadë.
Kështu në shkallën 34 të pallatit u krijua frikë se mos vihej ndonjë bombë. Kishte ditë që policia italiane pati montuar në hyrje të portës së ambasadës një aparat elektronik, i cili kontrollonte ata që hynin.
Vajza e Sali Berishës qëndroi tek daja i të shoqit më pak se një muaj. Për t'i telefonuar prindërve zbriste në aparatin e rrugës, sepse nuk donte të harxhonte mikpritësit. Po ashtu çdo ditë në orën njëzetë shkonte tek apartamenti i Poetit, sepse televizori i tij kishte teletekst dhe me këtë rast lajmet nga Shqipëria i ndiqte edhe me shkrim. Tek i lexonte, edhe kur ato ishin të këqija për fatin politik të të atit, nuk manifestonte asnjë reagim dhe nuk bënte asnjë koment. Qerasjet apo kafet zakonisht i refuzonte. Kur dikush nga personeli e ftonte për darkë me mirësjellje përgjigjej me një "faleminderit".
Ato kohë nga e zonja e shtëpisë bujtëse u mor vesh se në telefon e ëma i thoshte që t'i mësonte mbesës emrat e tyre, të mos harronte se si e quanin gjyshin e saj. Por një ditë vajza e Sali Berishës u përshëndet dhe iku për në Tiranë.
(Vijon)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)